RTSH Sport Live

Tirana, Orges Shehi para Kukësit: Jemi kampionët

  • 16/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana, Orges Shehi para Kukësit: Jemi kampionët
Tirana do të përballet në “Elbasan Arena” skuadrën e Kukësit, e shtunë ora 16:00

Skuadra kampione në fuqi, Tirana do të zbresë të shtunën në “Elbasan Arena”, ora 16:00, ku do të përballet me nënkampionët e vendit, skuadrën e Kukësit, por që në këtë sezon, jashtë çdo parashikimi, janë pa objektiva, trofetë apo pjesëmarrja në Europë janë një utopi. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi është paraqitur në konferencën për shtyp duke analizuar sfidën.

“Skuadra është e plotë, me përjashtim të Danso. Gjendja duket e mire dhe nga ajo që kaluam një javë më parë, mezi po e presim këtë ndeshje. Sigurisht, asnjë nënvlerësim për kundërshtarin. Pavarësisht rezultateve, Kukësi ka një skuadër cilësore, ka lojtarë shumë të mirë që bëjnë diferencën edhe në moment të vështira. Koeficienti i vështirësisë është i lartë, po aq sa rëndësia e ndeshjes”.

“Ne duhet të zbresim në fushën e lojës me kokën ulur duke punuar, por kur të përfundojë ndeshja, të dalim me kokën lart. Jemi kampionët në fuqi, duhet të kemi gjithmonë të njëjtën sjellje, kjo fanellë peshon shumë. Sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme. Javë pas jave, mundësia për të rikuperuar pikë zvogëlohet, prandaj kjo i jep një vlerë të madhe sfidës së nesërme. Deri në fund janë nëntë finale, si të tillë duhet ta trajtojmë edhe ndeshjen me Kukësin”.

“Golat e munguar ndeshjen e fundit? Nuk ka ngjashmëri nga ndeshja në ndeshje, skuadrat janë të ndryshme. Skënderbeu nuk jep mundësi. Duhet ta kishim zgjidhur çështjen e golit, shpresojmë të mos ndodhë e njëjta gjë në ndeshjen me Kukësin. Kur luan me një skuadër si Tirana, presioni është i vazhdueshëm. Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”.