RTSH Sport Live

Tirana pa trajner, mundet nga Laçi, vendos Mazrekaj

  • 25/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana pa trajner, mundet nga Laçi, vendos Mazrekaj
Nevil Dede ka braktisur bardheblutë pak para fillimit të ndeshjes, Mazrekaj gjen golin nga goditja e dënimit dhe i jep tri pikë Laçit

Tirana në një situatë kaotike. Në fillim është Nevil Dede, që ka braktisur skuadrën vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes. Më pas, në fushën e lojës ka ardhur dhe goditja tjetër, teksa Mazrekaj, me një gjuajtje të kalibruar i ka dhënë fitoren 1-0 skuadrës së Laçit. Humbja e dytë radhazi për bardheblutë në këto dy sfida të fundit, po me të njëjtin rezulat(janë mundur 1-0 edhe në derbi përballë Partizanit).

Bardheblutë kanë zbritur në fushën e lojës në këtë sfidë të radhës, të vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore nën drejtimin e drejtorit sportive, Tefik Osmani. Dede është larguar në mënyrë të befasishme nga ambjentet ku ndodhej skuadra vetëm pak para fillimit të lojës.

Sfida ka nisur menjëherë e vrullshme, me raste për të dyja skuadrat: në fillim Muçi për Tiranën e më pas Musta për Laçini kishin mundëistë e tyre për të shënuar. Nuk ka munguar edhe tensioni në fushën e lojës mes lojtarëve, por në fund, 45 minutat e para kanë dhuruar një rezultat të bardhë 0-0.

Fillimi i pjesës së dytë sjell një gol të kurbinasve, me autor Nuabueze, por që është anulluar për pozicion jashtë loje. Minuta të mira për skuadrën e Laçit, që ka arritur të vërë në vështirësi bardheblutë, por pa saktësinë e duhur në momentin e fundit. Të paktën deri në minutën e 72-të, moment në të cilin Mentor Mazrekaj shfaq talentin e tij me një goditje dënimi. Gjuajtje e kalibruar dhe portiere i bardhebluve, Bekaj nuk ka se çfarë të bëjë, 1-0.

Në fund të takimit, Deliu krijoi iluzionin e një goli të dytë për skuadrën kurbinase, por topi ka përfunduar jashtë. 1-0 dhe tri pikë të arta për skuadrën e Laçit, përballë një Tirane që është zhytur në një situatë të vështirë: dy humbje radhazi dhe me trajnerit qe braktis skuadrën pak para fillimit të sfidës.

TIRANA-LAÇI 0-1

Golat: Mazrekaj 72’