Tirana i ka shkaktuar humbjen e parë Skënderbeut duke triumfuar 3-1 në sfidën e luajtur në “Selman Stërmasi”, e vlefshme për javën e tretë të “Abissnet Superiore”. Një sfidë me ritëm, me korçarët që befasuan kryeqytetasit që në start . Por bardheblutë arritën të reagojnë dhe të marrin tri pikë mjaft të rëndësishme.
Sapo ka nisur sfida, ishte Nikaj që me një veprim individual arriti të shënojë në portën e Likës. Një gol që ka befasuar formacionin bardheblu, por që ka arritur të gjejë golin e barazimit në fundin e pjesës së parë me anë të Kaina 44’, pas një krosimi të dhënë nga Përgjoni, 1-1.
Në fillimin e pjesës së dytë janë edhe njëherë korçarët që shfaqen rrezikshëm me anë të Juri, por traversa u vjen në ndihmë bardhebluve. Me kalimin e minutave Tirana rriti ritmin dhe në minutën e 77-të gjen avantazhin me anë të Qefaliaj, i cili përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një gjuajtje të devijuar e dërgoi në rrjetë.
Në fundin e takimit, me korçarët në sulm me forca të shumta, Hasani me një veprim të bukur mbylli të gjitha llogaritë duke firmosur për 3-1, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide. Kështu, bardheblutë i shkaktojnë humbjen e parë skuadrës korçare dhe i rrëmbejnë vendin e parë në kuotën e 7 pikëve. Skënderbeu mbetet me 6 pikë.