RTSH Sport Live

Tirana, Shehi vazhdon të besojë: Kemi mundësi për titullin, por…

  • 07/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana, Shehi vazhdon të besojë: Kemi mundësi për titullin, por…
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka analizuar ndeshjen e radhës, atë me Kastriotin, ora 16:00

Barazimi me Bylisin në javën e kaluar, sigurisht që ishte një goditje e rëndë për Tiranën në garën për titull. Gjithsesi, trajneri Orges Shehi beson akoma, por e gjithë vëmendja e tij është e përqëndruar tek ndeshja e së shtunës, ajo me Kastriotin, në “Selman Stërmasi”, ora 16:00.

“E kemi thënë që çdo skuadër ka objektivat e veta. Kastrioti, në javët e fundit nuk ka marrë pikë, por është një skuadër që të krijon problem. Edhe ata kanë objektivat e tyre. Ne jemi për tu ngjitur, ata janë për tu larguar nga fundi i tabelës. Do të jetë një ndeshje e luftuar”.

“Deri në fund janë pesë javë, duhet të jemi të përqëndruar dhe të kujdesshëm, duhet të dërgojmë topin në rrjetë. Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, ku marrim gjithë frytet e sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar sepse ka nisur shumë herët vitin futbollistik”.

“Rivali më i rëndësishëm është Kastrioti. Nuk është rivali ynë direkt, por rivali i radhës është më i rëndësishmi. Duhet të shfrytëzojmë rastet, sepse futbolli është edhe lojë momenti dhe duhet shfrytëzuar. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë, na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes”.

“Ndeshja me Partizanin? Nuk do kursejmë asnjë lojtar për derbin. Kemi edhe mungesa për shkak kartonësh. Do aktivizoj lojtarët që janë në gjendjen më të mirë. Mundësitë për titullin. Mendoj se kemi shanset tona nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse kjo ndodh, mendoj se do jemi brenda objektivit tonë”, ka deklaruar Shehi.