RTSH Sport Live

Tokio 2020/Rexhildo Zeneli humbet mundësinë e tij

  • 05/06/2021
  • |
  • Tokio 2020
Tokio 2020/Rexhildo Zeneli humbet mundësinë e tij
Boksieri vlonjat nuk ka arritur të kualifikohet me normë për në “Tokio 2020”

Rexhildo Zeneli e ka humbur shansin e tij për të qenë i kualifikuar me normë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Boksieri ynë, që në fakt nëse nuk do të ishte Pandemia Covid-19 do ta kishte arritur normën e kualifikimit vitin e kaluar në Londër, ka qenë pjesëmarrës në Paris. I shoqëruar nga trajnerët Zef Gjoni dhe Gëzim Zeneli, Rexhildo është vënë përballë holandezit Enriko La Kruz në peshën 63 kilogram.

Edhe pse ka bërë një ndeshje të mirë në tre raunde, me vendimin e gjyqtarëve të tavolinës, fitues u shpall La Kruz. Kjo ishte mundësia e fundit për të patur një boksier me normë kualifikimi në Olimpiadë, ndërsa deri më tani të kualifikuar janë Luiza Gega e Briken Calja, kurse me ftesë Manuela Delilaj në qitje, Nikol Merizaj e Kledi Kadiu në not, Izmir Smajlaj në atletikë dhe Matvei Petrov në gjimnastikë.

Gjithsesi tanimë boksi shqiptar ka të tjera aktivitete ndërkombëtare, ku synon marrjen e medaljeve sikurse bëri në Ballkaniadën e Zagrebit.