Tomori i shton vetes edhe një shans më shumë për të qenë në elitën e futbollit shqiptar. Sepse pikërisht në finalen e Kategorisë së Parë mes dy vendeve të dyta të grupeve beratasit kanë triumfuar ndaj Burrelit në “Elbasan Arena”, 2-1. Një ndeshje e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa Tomori i është afruar golit që në të 6’ me Cankën, por largon Dodaj.
Tenton dhe Çaço në të 10’, por beratasit nuk arrijnë të gjejnë shënjestrën e duhur. Matjanët dalin nga ngërçi i minutave të para dhe shohin më tepër drejt portës beratase. Raboshta provon dy herë, në të 19’ dhe në të 21’, por jo aq sa për të befasuar Tomorin. Goli është çështje minutash për Tomorin, ndërsa paralajmërohet në të 30’ nga Barjamajn e pas tre minutave Canka firmos avantazhin për të besuarit e Sinellës.
Pas golit matjanët kanë mundësitë e tyre për të barazuar me Rexhepin e Hasën, sikurse beratasit me Qaton dy herë për të thelluar avantazhin. E në startin e pjesës së dytë Toma do të rrezikojë në portën beratase, sikurse do ta bëjë dhe në të 52’, por goli i barazimit nuk del në dritë.
Përkundrazi, me qetësinë e avantazhit të pjesës së parë, Tomori thellon në 2-0 me Barjamajn në të 55’. Madje i njëjti lojtar mund t’i kishte vënë vulën suksesit të beratasve në të 57’. Raboshta ngushton diferencën e golave për Burrelin në të 69’, kurse më pas Toma e Koleci nuk kanë qetësinë për të barazuar dhe në vërshëllimën e fundit të Florian Latës, Tomori feston fitoren që mund t’i sjellë rikthimin në Superiore.
E tanimë për Tomorrin mbetet duelin me Kastriotin, si vendi i tetë i Superiores, për t’u konfirmuar si e ardhur në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar.