RTSH Sport Live

Torpedo Kutaisi-Tirana në RTSH/ Kin dhe Sakho janë “VIP”-at e gjeorgjanëve

  • 09/07/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Torpedo Kutaisi-Tirana në RTSH/ Kin dhe Sakho janë “VIP”-at e gjeorgjanëve

Radio Televizioni Shqiptar ofron për sportdashësit shqiptarë një tjetër event me mjaft interes. Të enjten e 11 korrikut në ekranin e RTSH 1 do të transmetohet dueli i parë sezonal i klubit më të titulluar në Shqipëri, i cili është i impenjuar në transfertën gjeorgjane përballë ekipit të Torpedo Kutaisi.

Dueli i vlefshëm për turin e parë kualifikues në Ligën e Konferencës do të mbahet në orën 19:00 në impiantin e Kutaisit, stadiumi “Ramaz Shengelia”.

Edhe pse skuadra gjeorgjiane nuk do të thotë asgjë për tifozët shqiptarë, Tirana do të ketë të bëjë me klubin e dytë më të suksesshëm gjeorgjian.

Torpedo ka frekuentuar rregullisht divizionin më të lartë me përjashtim të tri sezoneve në fund të viteve 2000. Ata kanë fituar katër herë ligën kombëtare, pesë herë Kupën e Gjeorgjisë dhe dy herë Superkupën.

Në stol Torpedo drejtohet nga një teknik skocez siç është Stiv Kin. Ish-trajneri i Hibernian, i cili është edhe Drejtor Sportiv, i ka ndryshuar fytyrën klubit. Kur mbërriti në Gjeorgji, Kin gjeti Torpedon 13 pikë larg vendit të tretë ndërsa tani lufton për titullin me vetëm katër pikë diferencë nga Dila Gori.

Një tjetër pikë e fortë e skuadrës në fjalë qëndron edhe në mbrojtje. Bëhet fjalë për Mamadu Sakho. Ish-ylli i Liverpul është transferuar në Gjeorgji vetëm pak javë më parë.