Tottenham, si Leverkusen, fitore me katër gola në ndeshjet respektive. Roma e Napoli bëjnë detyrën në sfidat e tyre, Benfica nuk shkon më shumë se një barazim përballë Rangers.
Grupi A – Roma ka marrë një fitore 2-0 në fushën e Cluj, duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve dhe vendi i parë në grup. Pas një pjese të parë pa gola, sfida u hap në fraksionin e dytë nga një autogol i Debeljuh 49’. Veretout, i futur si zëvendësues, ka shënuar golin e sigurisë në minutën e 67-të. Cluj mbetet në vendin e tretë me katër pikë.
Grupi B – Rapid ka arritur të mundë Dundalk në shtëpi me rezultatin 3-1. Knasmuellner 11’ dhe Kara 37’ kanë zgjidhur gjithçka në pjesën e parë. Oduwa ka humbur një 11-metërsh për vendasit në minutën e 50-të, ndërsa Kara 58’ ka kompletuar dopietën e tij. Goli i vetëm për skuadrën e Dundalk është shënuar nga Shields 62(11-m).
Grupi C – Leverkusen bën poker përballë Beer Sheva, 4-1. Patrik Schick 29’ ka hapur serinë e golave, që është pasuar nga Bailey 48’, Demirbay 77’ dhe Alario 81’. Goli për skuadrën izraelite është shënuar nga Shviro 58’. Gjermanët ndodhen në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Slavia Prague, që në mbrëmjen e sotme ka mundur Nice me rezultatin 3-1. Lingr 14’ ka marrë përgjigjen e Gouiri 61. Më pas janë Olayinka 64’ dhe Sima 75’, që i japin fitoren skuadrës së Slavias.
Grupi D – Rangers dhe Benfica kanë dhuruar një barazim 2-2. Vendasit arritën të krijonin një avantazh prej dy golash me Arfield 7’ dhe Roofe 69’. Por portugezët kanë arritur të barazojnë me anë të Ramos 78’ dhe Pizzi 81’. Një barazim që i mban në kuotë të barabartë pikësh të dyja skuadrat, nga shtatë pikë. Ndërkohë, në sfidën tjetër, Standard Liege ka mundur 2-1 Lech Poznan. Ishak 61’ kaloi miqtë në avantazh, por vendasit përmbysën me Tapsoba 63’ dhe Laifis 90’, pavarësisht se ishin me 10 lojtarë.
Grupi E – Granada nuk e ka patur aspak të lehtë përballë Omonia Nicosia, por në fund ka arritur të rrëmbejë një fitore 2-1, që e ngjit në kuotën e 10 pikëve dhe mban vendin e parë. Vendasit kaluan që në minutën e 8-të në avantazh me anë të Luis Suarez. Qipriotët barazuan me Asante në minutën e 60-të, ndërsa goli i fitores u shënua nga Soro 73’. Në ndeshjen tjetër të grupit, PSV ka mundur PAOK me rezultatin 3-2. Varela 4’ dhe Tzolis 13’ surprizuan skuadrën vendase me golat e shënuar, por që nuk ka zgjatur shumë. Gakpo 20’, Madueke 51’ dhe Malen 53’ kanë sjellë përmbysjen e madhe.
Grupi F – Me kujtimin e Maradonës, autogolin e Anastasio 41’ si dhe golin e Lozano 75’, Napoli ka marrë një fitore 2-0 në shtëpi përballë Rijekës. Në sfidën tjetër, Alkmaar nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 përballë Sociedad. Një situatë mjaft interesante në këtë grup, Napoli mban vendin e parë me 9 pikë, ndjekur nga Sociedad dhe Alkmaar me nga 7 pikë, në fund Rijeka me 0 pikë.
Grupi J – Tottenham, 4 gola për të marrë tri pikë përballë Ludogorets. Skuadra e Mourinhos, ndonëse me ndryshime të shumta në përbërje, e ka bërë gjithçka të lehtë në këtë sfidë. Golat u shënuan nga Vinicius(dopietë), Winks dhe Lucas Moura.