Asnjë problem për Poloninë e Hungarinë, kundërshtarë të Shqipërisë në Grupin I kualifikues për Katar 2022. Në ndeshjet e dyta të dyja skuadrat fitojnë me të njëjtin rezultat, 3-0 kundër Andorrës e San Marinos që mbyllin renditjen. Polonia, pasi barazoi në debutim me Hungarinë, imponohet me tre gola në shtëpi ndaj Andorras.
Serinë e golave e hapi Levnadovski. Sulmuesi i Bayern Mynih shënoi në minutën e 30 golin e avantazhit, përpara se të siguronte rezultatin 10 minuta pas rifillimit. Kapiteni shënon kështu golin e tretë në dy ndeshje, duke e bërë të thjeshtë për polakët të rrëmbenin fitoren e blinduar nga goli i tretë i Sviderskit dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt.
Katër pikë për Poloninë, dy pas Anglisë kryesuese e në kuotë të barabartë me Hungarinë, që përgjigjet po me tre gola në transfertën e San Marinos. Szalai shënoi që në minutën e 13 dhe skuadra e Marco Rossit mund të kishte dyfishuar më shpejt nëse Sallai nuk do të gabonte nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 21. E megjithatë goli hungarez ishte vetëm çështje kohe dhe Sallai korigjon vetën në minutën e 71, duke vënë në siguri rezultatin. Në të 88 ka lavdi edhe për Nikolic, në një tjetër penallti të akorduar për Hungarinë.
Mbetet në vendin e katërt Shqipëria në përfundim të raundit të dytë të ndeshjeve, me 3 pikë, një më pak se dyshja Poloni-Hungari, ndërsa mbyllin klasifikimin me 0 pikë Andorra e San Marino me këta të fundit që kanë pësuar 8 gola pa shënuar asnjë.