Organizatorët e Roland Garros kanë konfirmuar prezencën e një numri të limituar të tifozëve në shkallët e fushave të tenisit ku do të luhen ndeshjet. Spektatorët, për të hyrë në impiantet sportive duhet të paraqesin librezën e vaksinimit, ose një rezultat negativ të testit të PCR të bërë 48 orët e fundit.
Për herë të parë janë parashikuar të luhen edhe ndeshjet natën. Deri në 8 qershor mund të jenë prezent çdo ditë, deri në 5.388 spektatorë, më pas nga 9 qershori do të shkohet në 13.146 spektatorë, që përkon me javën e dytë të turneut. Kjo falë autorizimit të qeverisë për ta rritur prezencën e tifozëve në fushat e tenisit deri në 65%.
Qeveria franceze ka deklaruar se ora policore do të qëndrojë në fuqi. Deri në 8 qershor kufiri është deri në orën e 21. Arbitri i ndreshjes do t’iu kërkojë tifozëve të largohen nga shkallët, të paktën në orën 20.30, ndërsa nga 9 qershori orari do të shtyhet deri në 23.
Organizatorët parashikojnë të shesin 118.611 bileta, kundrejt 15 mijë të shitura në edicionin e kaluar. Por këto shifra janë shumë larg 500 mijë biletave të shitura në 2019, kur asnjë nuk e imagjinonte se do të shpërthente pandemia coronavirus që do të sillte këto pasoja të paimagjinueshme në çdo aspekt të jetës, jo vetëm në sport.