RTSH Sport Live

U17, Ziu dhe Ruçi: Kombëtarja, ëndërr e bërë realitet

  • 23/09/2021
  • |
  • Kombëtarja
U17, Ziu dhe Ruçi: Kombëtarja, ëndërr e bërë realitet
 Flasin dy futbollistët të thirrur rishtas, Davide Ziu i Viçencës dhe Orgito Ruçi i Olimpiakosit

Davide Ziu dhe Orgito Ruçi janë dy lojtarë të thirrur rishtas në Kombëtaren shqiptare të 17-vjeçarëve. Ziu, që luan në Itali me ekipin e Viçenzas duket i lumtur që më në fund është pjesë e Kombëtares shqiptare, teksa shprehet se dëshira e tij ka qenë gjithmonë të ishte pjesë e Shqipërisë.

“Unë dhe familja ime ndihemi shumë të kënaqur nga ftesa e Kombëtares dhe jam gati për të luajtur për Shqipërinë. Kisha dëshirë të luaja për Kombëtaren dhe tani e kam mundësinë. Jam ndjerë shumë mirë, grupi është i fortë dhe shpresoj që të arrijmë sa më lart. Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe kam bërë shokë të rinj. E ardhmja? Objektivi im është të arrij sa më lart dhe të luaj me fanellën e Shqipërisë”, tha futbollisti kuqezi.

Edhe Ruçi, që luan për skuadrën e Olimpiakosit në Greqi nuk e fsheh kënaqësinë që është pjesë e Kombëtares, ndërsa shprehet se beson te cilësitë e këtij grupi.

“Jam Orgito Ruçi, luaj në Athinë tek Olimpiakos në Greqi, mesfushor qendre. Kur mora ftesën nga Kombëtarja, u ndjeva shumë mirë. Më kanë pritur shumë mirë, besoj se do krijojmë një grup të fortë, duhet të punojmë fort. Besoj se kemi cilësi të mira dhe të tregojmë në fushë çfarë mund të bëjmë. Objektivat e mi? Të punoj shumë fort si Orgito dhe pas kësaj, çfarë mund të arrij do të dalë nga puna që bëj në fushë dhe jashtë fushe”, – u shpreh Ruçi.

Të mërkurën Kombëtarja kuqezi fitoi me rezultatin 2-1 në miqësoren kundër bashkëmoshatarëve të Kosovës.