RTSH Sport Live

U19/Shqipëria mundet nga Kosova

  • 16/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
U19/Shqipëria mundet nga Kosova
Përfaqësuesja e 19-vjeçarëve është mundur nga Kosova U20 me rezultatin 1-0, në miqësoren e luajtur në “Elbasan Arena”

Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç, e cila drejtohet nga Armando Cungu, e ka humbur miqësoren e saj vëllazore me Kosovën e moshës deri në 20 vjeç, e cila pasditen e së enjtes është luajtur në “Elbasan Arena”. Një gol i Shalës në të 7’ nga pika e bardhë e penalltisë i ka dhënë fitoren Kosovës, ndërsa kuqezinjtë janë munduar të barazonin. Një mori rastesh për shënim, por që i ka munguar finalizimi.

Në këtë ndeshje, Shqipëria ka luajtur me Veiper, Papa, Bytyqi, Krasniqi, Zabeli, Frroku, Alivoda, Bibo, Arapi, Janaqi, Ahmetaj. Kjo nuk ishte ndeshja e parë miqësore që përfaqësuesja shqiptare ka zhvilluar nën drejtimin e Cungut, teksa shkodrani ka pasur mundësi të shohë grupin në disa seleksionime, grumbullime e miqësore, pavarësisht se jo i plotë për shkak të kufizimeve nga pandemia covid-19.

Përtej përpjekjeve të të dy skuadrave, ndërsa janë bërë zëvendësime të shumta, kjo miqësore përfundoi me fitoren e Kosovës. Ndeshja e dytë do të luhet të premten në ora 10:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, kurse të gjitha këto miqësore janë në shërbim të Armando Cungut për të ndërtuar skuadrën, e cila do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022, teksa do të jetë përballë Francës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.