RTSH Sport Live

UEFA anullon Europianin U19

  • 23/02/2021
  • |
  • Kombëtarja
UEFA anullon Europianin U19
Komiteti Ekzekutiv pranë UEFA-s vendosi anullimin e Europianit 2021 të U-19 për meshkuj dhe femra

Komiteti Ekzekutiv i UEFA vendosi sot të anullojë Kampionatin Europian të 2021 për meshkuj dhe Femrat U-19 për shkak të pandemisë Covid-19 dhe efekteve të saj në organizimin e garave.

Gjatë marrjes së këtij vendimi, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vuri në dukje se, me kufizimet e  qeverive të vendosura aktualisht, udhëtimi i ekipeve dhe vënia në skenë e mini-turneve do të ishte shumë e vështirë.

Federatat anëtare të UEFA-s u konsultuan dhe mbështetën vendimin. Edhe pse është për të ardhur keq që asnjë garë për të rinj nuk mund të zhvillohet në sezonin aktual, shëndeti dhe siguria e futbollistëve të rinj duhet të ketë përparësi në rrethanat aktuale.

Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv mori në konsideratë dhe situatën epidemiologjike në Bjellorusi dhe kufizimet aktuale, të cilat parandalojnë disa ekipe dhe zyrtarë të marrin pjesë në finalet e Ligës së Kampionëve Futsal 2020/21.

Pas konsultimit me Federatën e Bjellorusisë, Komiteti vendosi të kërkojë një vend alternativ për evenimentin. Federata Kroate e Futbollit shfaqi disponueshmërinë e saj për të marrë përsipër skenën e finaleve. U vendos Zagrebi si pritësi i turneut, i planifikuar fillimisht në Minsk nga 28 prill deri në 3 maj.