RTSH Sport Live

UEFA: Ceferin “kërcënon”, Europiani me tifozë

  • 16/03/2021
  • |
  • Futboll Bota
UEFA: Ceferin “kërcënon”, Europiani me tifozë
“Secili qytet do të duhet të garantojë se do të ketë tifozë në tribuna gjatë ndeshjeve të tyre”

Qytetet që nuk do të jenë në gjendje të garantojnë praninë e tifozëve në tribuna mund të përjashtohen nga Kampionatet Europiane. "Kërcënimi" vjen drejtpërdrejt nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili dha një intervistë për TV britanik Sky Sports:

“Ne jemi duke punuar për skenarë të ndryshëm, por e vetmja garanci që mund të japim është që opsioni për të luajtur ndonjë ndeshje të Euro 2020 në një stadiumi bosh nuk ekziston. Secili qytet do të duhet të garantojë se do të ketë tifozë në tribuna gjatë ndeshjeve të tyre”.

Për momentin janë 12 qytete që do të presin Kampionatin Europian. UEFA do të shpallë zyrtarisht më 20 Prill stadiumet që plotësojnë kushtet: “Skenari ideal - vazhdon Ceferin - është të luash turneun në 12 vendet e përcaktuara më parë, por nëse kjo nuk është e mundur do të vazhdojë në 10 ose 11 vende. Kjo do të varet nga mundësia e plotësimit të kushteve të kërkuara”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tashmë ka bërë të ditur se Anglia është e gatshme të organizojë edhe më shumë ndeshje nga sa ishte planifikuar.

Test në Hollandë: deri në 5 mijë tifozë në stadium - Autoritetet hollandeze kanë autorizuar deri në 5,000 tifozë për të marrë pjesë në ndeshjen kualifikuese të Kupës Botërore të përfaqësueses së tyre kundër Letonisë më 27 mars në Amsterdam, si pjesë e një prove se si të sigurohen ngjarje të mëdha gjatë pandemisë.

Organi kombëtar i futbollit KNVB tha se testet e shpejta dhe një aplikacion për smartphone do të jenë pjesë e provës, me tifozët që do të ndahen në flluska kërkimi ku do të shqyrtohet përhapja e aerosoleve nga frymëmarrja, ulëritjet, kollitja dhe teshtitja.

“Rezultatet e favorshme mund të përshpejtojnë procesin drejt stadiumeve shumë më të plota në raundin e fundit të sezonit 2020/21 dhe Kampionatin Europian” thuhej në njoftimin e KNVB. Amsterdami është një nga 12 vendet pritëse të Euro 2020.