RTSH Sport Live

UEFA Champions League, mbyllen takimet e dyta në grupe

  • 29/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
UEFA Champions League, mbyllen takimet e dyta në grupe
Emision i posaçëm dhe ndeshja më e spikatur, Juventus-Çellsi, direkt në RTSH 1

Veprimtaria më prestigjioze e futbollit evropian, Liga e Kampioneve, ka ngritur në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar siparin e fazës së grupeve. Dhe transmetuesi publik ka sjellë në kanalin RTSH 1, emisionin kushtuar posaçërisht kësaj mbrëmjejej, por edhe përballjen më të spikatur të së mërkurës, atë të grupit H, atë midis Juventusit dhe Çellsit. Kështu, në takimin tjetër të grupit H, të luajtur më herët, Zeniti i Shën Pjetërburgut ka shtangur mposhtur në shtëpi Malmoen, duke e mundur me shifrat 4-0, me një gol në pjesën e parë dhe 3 në të dytën.

Ndërkaq, në grupin F, në takimin e luajtur më herët, Atalanta ka mundur minimalisht në fushën e saj Jang Bojs të Bernës, me golin e vetëm të shënuar në pjesën e dytë nga Pesina. Në takimin tjetër të grupit, Mançester Junajtid dhe Vijareali kanë mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë, por çerekora e parë e së dytës sjell dy gola, fillimisht për spanjollët dhe më pas për anglezët.

Dhe do të jetë Kristiano Ronaldo ai që do të rikonfirmojë edhe një herë rolin e tij vendimtar, duke i dhuruar Mançester Junajtid fitoren 2-1 me golin e shënuar në minutën e 5-të shtesë. Në grupin E, përballja midis Bajernit të Mynihut dhe Dinamos së Kievit e ka mbyllur me epërsinë e dyfishtë të pjesën e parë, falë një dygolëshi të Robert Levandosvki, në minutën e 12-të me një 11-metërsh dhe në minutën e 27-të.

Gjermanët gjejnë edhe 3 gola të tjerë edhe në të dytën dhe sigurojnë fitoren e dytë radhazi dhe 3 pikë të tjera që i mbajnë në krye të renditjes. Kurse ndeshja tjetër e grupit, Benfika-Barcelona, ka parë vendasit të kalojnë menjëherë në epërsi pas vetëm 3 minutash lojë, një gol ky që mbetet në fuqi deri në fund të pjesës së parë. Madje portugezët gjejnë edhe golin e dytë në minutën e 70-të dhe të 3-tin, 11 minuta para fundit të kohës së rregullt, që u dhuron fitoren 3-0 dhe 3 pikët, ndërsa katalanët pësojnë humbjen e dytë radhazi.

Dhe, së fundi, në grupin G, Salzburgu e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale ndaj Lilës, me një 11-metërsh të saktë të Adejemit në minutën e 35-të. Një tjetër 11-metërsh i saktë nga i njëjti autor dyfishon epërsinë e austriakëve në minutat e para të së dytës, por, ndonëse Burak Jillmaz shkurton largësinë e golave për francezët në të 62-tën minutë, Salzburgu e mbron fitoren 2-1 dhe merr 3 pikët.

Kurse në takimin tjetër, Volfsburgu dhe Sevilja e kanë mbyllur pjesën e parë me rrjeta të paprekura, ndërsa me fillimin e së dytës janë gjermanët që kalojnë të parët në epërsi, por spanjollët barazojnë në minutat e fundit të kohës së rregullt dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë.