RTSH Sport Live

UEFA Champions League, përplasje sheikësh

  • 28/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
UEFA Champions League, përplasje sheikësh
PSG pret Manchester City, sfidë delikate në “San Siro” për Milan

Ndeshjet e dyta të katër grupeve të para të Champions League ofrojnë përplasje interesante, ndeshje për të mos u humbur. Hapat fals të bëra nga skuadrat që kanë pretendime, jo vetëm për kualifikim, por dhe për vendin e parë në grupet përkatëse, bëjnë që për ta sfidat e këtij raundi të jenë absolutisht për të mos u humbur. Kjo vlen në radhë të parë për PSG, që pas barazimit në Belgjikë do të presë në Parc des Princes kundërshtarin më të fortë, Manchester City.

Skuadra e Pochettino-s duhet të fitojë me çdo kusht për ti marrë vendin e parë skuadrës angleze, që vijnë pas shpartallimit që i kanë bërë formacionit gjerman të Leipzig në Etihad. Çështja është se në përballjen mes gjermanëve dhe Brugge, dy skuadrat që ishin më të destinuara për të luajtur për dy vendet e fundit të grupit, njëra prej tyre mund të jetë vërtetë shqetësuese për PSG-në, në rast se në ndeshjen e dytë francezët nuk fitojnë, e aq më keq nëse humbasin përballë skuadrës së Guardiolës.

Grupi B, që është dhe grupi i hekurt prodhon sfida të paparashikueshme, gjë që e bën situatën e renditjes të jetë e palexueshme. Liverpool ka siguruar fitoren e parë përballë Milan, por tani duhet të udhëtojë në Dragao, ndaj një skuadre që ua bëri jetën të vështirë kampionëve të Spanjës në ditën e parë të kësaj faze, madje ishte Porto skuadra më pranë fitores. Anglezët duhet të ruajnë statustin e forcës së parë në grup, por në anën tjetër dy skuadra me një pikë mund të bëjnë që Milani i vendit të fundit, me një fitore ndaj Atletico Madrid, të katapultohet në vendin e dytë.

Kuqezinjtë do të dëgjojnë për herë të parë në “San Siro” pas shtatë vitesh himnin e Champions, duke u përballur me skuadrën e fundit që kishte përballë atëherë. Për Simeonen, një tjetër test i vështirë kundër skuadrës së Piolit, por ishte kuptuar që në short që do të ishte kështu.

Ajax, pas goleadës ndaj Sporting në debutimin në Grupin C, ka mundësinë të ruajë kryesimin kur përballë të ketë Besiktas. Turqit janë mundur ngushtë nga Dortmund, por një disfatë e dytë do të thoshte se çështja e kualifikimit mbyllet këtu. Në ndeshjen tjetër, gjermanët do të mbështeten në murin e verdhë për të rrëmbyer një tjetër fitore ndaj portugezëve të Sporting.

Në Grupin D, Inter duhet të ngrihet menjëherë pas humbjes me Real Madrid në ditën e parë të ndeshjeve në grupe. Për zikaltërit nuk është aspak e lehtë në një fushë si ajo e Shkhtar, madje historia ka treguar se është shumë e vështirë. Ndërkohë, madilenët ndihen më komodë pasi do të presin në shtëpi surprizën Sheriff Tiraspol.