RTSH Sport Live

UEFA Europa League! Napoli - Sociedad në RTSH

  • 10/12/2020
  • |
  • UEFA Europa League
UEFA Europa League! Napoli - Sociedad në RTSH
Ndeshja e vetme në historinë mes skuadrave është ajo e zhvilluar në San Sebastian ku Napoli triumfoi 1-0

Napoli Real Sociedad, sido që të shkojë rrjedha e lojës, do të mbetet një ndeshje historike, sepse nëpër librat e arkivës do të shënohet si ndeshja e parë në stadiumin me emrin e mitit: Diego Armando Maradona.

I përket pikërisht ditës së sotme që të luhet për herë të parë në Napoli pas ndryshimit të emrit të stadiumit, në respekt të kampionit të madh, me kujtimet e të cilit Napoli vazhdon të jetojë futbollistikisht në javët e fundit. Me një frymëzim më shumë ndoshta napolitanët po kalojnë një moment mjaft të mirë forme, duke fituar 4-0 dy ndeshjet e fundit në kampionat, respektivisht ndaj Romës dhe Krotones. Por tani i njëjti frymëzim duhet të vlejë edhe në Evropë, në një sfidë delikate, në të cilën italianët nuk duhet të humbasin, që të sigurojnë kualifikimin për në fazat e nxehta të Europa Ligës.

Napoli udhëheq grupin F me 10 pikë, por spanjollët  e Sociedadit ndodhen vetëm dy pikë pas tyre dhe një fitore e miqve do të kalonte këta të fundit në avantazh. Kualifikimi do të varet shumë edhe nga sfida tjetër e grupit, ajo mes Rijekës dhe AZ, me holandezët që janë të detyruar të fitojnë në Kroaci. Dhe pikërisht një fitore e pritshme e tyre do t’i vendoste dy skuadrat në stadiumin e Maradonës në një betejë gladiatoreske, ku edhe pse Napolit I mjafton barazimi, është e vështirë të bëjë llogari të tilla gjatë lojës. Të gjitha këto llogari e shndërrojnë në tejet emocionuese këtë përplasje cilësish të dy shkollave futbolli dhe dy skuadrave përgjithësisht në formë.

Baskët deri një javë më parë udhëhiqnin kampionatin spanjoll, kryesim që e dorëzuan pas dy barazimeve të fundit, të cilave u shtohen edhe dy barazime të tjera në Europa Ligë. Moment që skuadra e Alguacil do të duhet të provojë  ta kapërcejë në një provë tmerrësisht të vështirë. E për më tepër përtej qasjes së duhur teknikun bask e shqetëson lista e të padisponueshmëve, sa e shkurtër aq edhe cilësore. Ojarzabal dhe David Silva nuk do të luajnë sot dhe ai duhet të gjejë alternativa në manovrën sulmuese, të domosdoshme kur fitorja është detyrim.

Napoli I Gatuzos, përtej asaj çka mund të prodhojë loja gjatë zhvillimit të saj, do ta ketë të vështirë të luajë për barazim. Vetë tekniku 42 vjeçar e pranon këtë. Në formacionin e tij pritet të jetë Fabian Ruiz I rikuperuar, ndërsa sulmi pritet të jetë i njëjti me atë në Holandë, ku Mertens do të bëjë 9-shin fals.

Ndeshja e vetme në historinë mes skuadrave është ajo e zhvilluar në San Sebastian ku Napoli triumfoi 1-0, me spanjollët që do të duan të kthejnë reston, por e lehtë sot nuk do të jetë aspak për asnjë nga kampet.