RTSH Sport Live

UEFA EUROPA LEAGUE! SOT ZVEZDA - MILAN NË RTSH

  • 18/02/2021
  • |
  • UEFA Europa League
UEFA EUROPA LEAGUE! SOT ZVEZDA - MILAN NË RTSH
Përballja e parë zhvillohet në Serbi dhe transmetohet në kanalin e parë të platformës digjitale të transmetuesit publik, RTSH 1 HD në orën 18.55

Rikthehen emocionet e Uefa Europa League. Sot luhen ndeshjet e vajtjes për raundin 1/32 dhe ka shumë përballje interesante. Si gjithmonë, Europa League transmetohet pa asnjë pagesë dhe kosto shtesë në RTSH dhe sot është përzgjedhur një sfidë që premton spektakël. Crvena Zvezda pret në Beograd Milanin dhe të dyja skuadrat nuk duan të gabojnë në ndeshjen e parë. Në fakt serbët kanë një ecuri shumë pozitive, sepse duhet të kthehesh shumë prapa në kohë për ti gjetur humbjen e fundit, atë ndaj Hofenhajmit në Uefa Europa League luajtur në tetor të vitit të shkuar. Që prej asaj date, ekipi që drejtohet nga Dejan Stankoviç ka 21 përballje (për çdo kompeticion), që nuk ka humbur, madje duke marë 17 fitore.

Nga ana tjetër Milani, pas një faze të parë të shkëlqyer në Itali duke qënë gjithmonë në krye të Serie A, tashmë duket se ka humbur pak shkëlqimin. Në fillim skuadra e Piolit është eleminuar nga Kupa e Italisë prej Interit, dhe më pas humbi në kampionat ndaj Specias duke lëshuar edhe kreun. Prandaj ndeshja e sotme, pritet me shumë interes edhe nga publiku shqiptar duke qënë se ka shumë tifoë të kuqezinjve në vendin tonë.

Transmetimet e RTSH do të nisin në fakt që në orën 18.25 me emisionin “Studio Europa League”. Në studio së bashku me Alban Hasanin, do jenë edhe specialistët e futbollit Alban Tafaj dhe Arbër Ablilaliaj për të analizuar çdo detaj të prag-ndeshjes që luhet në stadiumin “Rajko Mitiç”, por edhe gjithë sfidat e tjera. Nëse në RTSH 1 HD do të jetë ndeshja e Milanit, në RTSH Sport shqiptarët mund të ndjekin gjithë golat minutë pas minute të 8 ndeshjeve që luhen në atë orë. Edhe në orën 21.00 në RTSH Sport mund të ndiqen golat e mbrëmjes për UEFA Europa League.