RTSH Sport Live

UEFA intensifikon vizitat në Tiranë

  • 19/11/2021
  • |
  • Futboll Vendi
UEFA intensifikon vizitat në Tiranë
Tjetër mision inspektimi për qëmtimin e kushteve për finalen e Ligës së Konferencës

Deri në 25 majin e vitit të ardhshëm, kur një finale historike e një turneu madhor futbollistik, siç është ajo e Ligës së Konferencës, të mbahet në kryeqytetin shqiptar, duhen diçka më tepër sesa 6 muaj. Por kur bëhet fjalë për një eveniment të tillë, që për më tepër është finalja e një turneu që debuton dhe që mbahet në një qytet që gjithashtu debuton në këtë nivel, siç është Tirana, UEFA nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë. Dhe, pasi kishte bërë në mesin e shtatorit një vizitë të parë, ditët e fundit organizmi që qeveris futbollin kontinental ka zbarkuar në kryeqytetin e vendit, me një delegacion masiv prej 30 vetësh, duke inspektuar çdo aspekt që përfshin mikpritja dhe organizimi i një finaleje të tillë.

Sipas burimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, inspektorët e UEFA-s, janë përqendruar sidomos tek Stadiumin “Arena Kombëtare” dhe tek aspekti i organizimit sa i përket transmetimit televiziv, por edhe akomodimit të mediave, sidomos atyre ndërkombëtare, që pritet të jenë të shumta në këtë finale. Ndërkohë, siç kishin bërë edhe në vizitën e parë, inspektorët e UEFA-s kanë vijuar të qëmtojnë me çdo hollësi çdo aspekt, duke nisur nga logjistika, hoteleria dhe kulinaria, transporti, vetë stadiumi dhe gjithë infrastruktura mbështetëse, si fushat e stërvitjes, dhomat e zhveshjeve e të tjera.

Ndonëse nuk jepen shifra të sakta, mësohet se, për atë periudhë të 10-ditëshit të fundit të majit të vitit të ardhshëm, që tani janë prenotuar një pjesë e mirë e hoteleve kryesore të kryeqytet dhe shifra përllogaritet në mbi 500 dhoma të prenotuara. Kjo për arsye se në Tiranë pritet të vijnë jo vetëm dy skuadrat finaliste dhe i gjithë enturazhi i tyre, por edhe një “ushtri” zyrtarësh të futbollit evropian, që nis me drejtuesit e UEFA-s dhe vijon me sponsorët, me të ftuarit e nderit, siç janë ish-futbollistë të njohur apo personalitete nga fusha të tjera të jetës, por që kanë bashkëpunuar me organizmin që qeveris futbollin kontinental. Me pak fjalë, në fundjavën që i paraprin të mërkurës së 25 majit, por edhe në ditët më pas, kryeqyteti shqiptar pritet të pushtohet nga futbolli evropian.