RTSH Sport Live

UEFA neutralizon konfliktin gjermano-hungarez

  • 22/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
UEFA neutralizon konfliktin gjermano-hungarez
Nuk lejon shfaqjen e ngjyrave të ylberit në stadiumin e Mynihut

UEFA kthen pas kërkesën e Federatës Gjermane të Futbollit që mund të kisht shkaktuar një incident diplomatik mes Berlinit dhe Budapestit. Autoritetet sportive gjermane kishin kërkuar që stadiumi “Allianz Arena” që në këtë rast quhet “Munchen Arena”, të shfaqte ngjyrat e flamurit simbol të homoseksualëve si kundërpërgjigje ndaj politikave të ashpra të kryeministrit hungarez, Viktor Orban ndaj këtij komuniteti.

Kërkesa ishte depozituar nga administrate lokale e Mynihut, që sipas këtij institucioni, kishte qëllim për t’i qëndruar pranë këtij komuniteti pas ligjit përjashtues që miratoi parlamenti hungarez. Gjithsesi, në këndvështrimin e UEFA-s, ky institucion është politikisht neutral dhe duke parë konotacionin politik të kërkesës dha një përgjigje negative.

Portieri gjerman, Manuel Neuer vendosi një shirit me ngjyrat e ylberit në ndeshjen hapëse mes Gjermanisë dhe Francës, por në rastin e numrit 1 të 4 herë kampionëve të Botës, UEFA nuk ndërmori asnjë masë. Hungaria është vendosur në qëndër të vëmendjes gjatë muajve të fundit pasi jo vetëm kryeministri Orban ka reflektuar sjellje homofobike dhe përbaltuese por edhe tifozët e Kombëtares “magjare” që janë madje në hetim edhe për thirrjet raciste ndaj disa lojtarëve të Francës. Gjermania dhe Hungaria do të ndeshen të Mërkurën në orën 21:00 në Munchen Arena për llogari te Grupit F.