Fitorja 2-0 në fushën e San Marinos i ka dhënë skuadrës kuqezi vendin e tretë në renditjen e Grupit I. Megjithatë, paraqitja e treguar në këtë sfidë, por dhe në dy sfidat e mëparshme(me Andorrën dhe Anglinë) ka lënë shije të hidhur, duke e vendosur trajnerin Edi Reja në qendër të kritikave. Lojë mbrojtëse, ndryshime të shumta në formacion, duke mos patur një 11-she bazë, kanë bërë që të shpërthejnë edhe kritikat.
Nga njëra anë është loja aspak premtuese, por nga ana tjetër janë statistikat, që kanë “zgjuar” dhe vëmendjen e UEFA-s, e cila në një postim në faqen e saj ka shkruar: Sa e mirë është kjo skuadër e Shqipërisë?
Kuqezinjtë, në gjashtë sfidat e zhvilluara jashtë fushës së tyre në ndeshjet zyrtare, janë të pamposhtur dhe nuk kanë pësuar asnjë gol: Moldavi, Bjellorusi, Kazakistan, Lituani, Andorra dhe San Marino. Gjithashtu në postimin e UEFA-s theksohet se kuqezinjtë kanë fituar dy nga tri sfidat e luajtura në këto kualifikuese dhe mbajnë vendin e tretë në grup.
Pas raundit të parë, eliminatoret për Grupin I rikthehen në shtator, me dy sfida vendimtare për kuqezinjtë, që do të luajë një pjesë të madhe të fatit brenda 3 ditëve: në transfertën e Polonisë dhe më pas në Tiranë kundër Hungarisë.