RTSH Sport Live

UEFA veçon golin e shqiptarëve të Legias

  • 21/09/2021
  • |
  • Kombëtarja
UEFA veçon golin e shqiptarëve të Legias
Realizimi i Lirim Kastratit pas vrapimit mbresëlënës të Ernest Muçit përzgjidhet në Instagram

Një gol që jo vetëm ka vlejtur një fitore minimale, por mjaft të vyer, në një fushë të vështirë si Moska përballë Spartakut vendas, por edhe një gol që ka tërhequr vëmendjen edhe për faktin se u shënua në skajet e sfidës së luajtur në kryeqytetin rus. Bashkëpunimi i dy futbollistëve shqiptarë, Ernest Muçit dhe Lirim Kastratit, të dy të futur në minutat e fundit të kohës së rregullt të sfidës së parë të vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ka çuar në fitoren “in-extremis” të kampiones polake ndaj rusëve vendas dhe në 3 pikë mjaft të vyera.

Dhe goli nuk ka kaluar pa u vënë re nga organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, që, në profilin e Ligës së Evropës në rrjetin social Instagram, pyet ndjekësit e saj se cili do të cilësohej si goli më mbresëlënës i minutave të fundit. Bashkë me golin e dy shqiptarëve, në diskutim ishte edhe ai i Oleg Riabçukut të Olimpiakosit, të shënuar në minutën e 87-të.

Natyrisht, për faktin se u shënua në sekondat e fundit, për më tepër në fushë të huaj ndaj një kundërshtari të vështirë dhe që vlejti fitoren, por sidomos për mënyrën e realizimit, goli i Muçit dhe Kastratit sigurisht që ka marrë më tepër vlerësime.