RTSH Sport Live

Uetanabe në Tiranë, gjimnastika më e bashkuar

  • 06/09/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Uetanabe në Tiranë, gjimnastika më e bashkuar
Presidenti i Federatës Botërore vizitë dyditore në Shqipëri, projekte për të ardhmen

Gjimnastika shqiptare duket se ka gjetur pajtimin e madh, ndërsa tanimë funksionon si një Federatë e vetme me president Adriatik Meta. Vizita e presidentit të Federatës Botërore të Gjimnastikës, Morinari Uetanabe, ndoshta i ka shërbyer këtij qëllimi, teksa premtohet më shumë mbështetje për rritjen cilësore të kësaj disipline në vend. Pas ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, apo dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Uetanabe është pritur edhe nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. E menjëherë pas kësaj pritje, Uetanabe tregon për RTSH Sport rëndësinë e vizitës së tij.

 “Gjimnastika është themeli i çdo sporti dhe unë shpresoj që në vendin tuaj të ketë të rinj e të reja që të merren me këtë sport. Edhe disiplina e tjera sportive kanë nevojë për gjimnastikën, ashtu sikurse dhe për atletikën. E për këtë qëllim patëm takime të frytshme që t’i japim një tjetër hov këtij sporti në vendin tuaj. Besoj se do të bëjmë gjëra të mira”.

Por a i sheshoi problemet e ekzistencës së dy Federatave ardhja e presidentit Uetanabe?

 “Unë shpresoj që gjimnastika shqiptare do të eci dhe do të jetë në nivele të larta. Të paktën nga takimet që kam patur, apo nga gatishmëria për ta ndihmuar këtë sport në vendin tuaj, atëherë bindem që ky problem nuk ekziston më. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të jetë e përfaqësuar në këtë disiplinë”.

Matvei Petrov ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Çfarë pret Uetanabe më tej nga gjimnastika shqiptare?

 “Të përfaqësohet me sa më shumë të rinj e të reja në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare. Unë kam bindjen se gjithçka tanimë do të jetë më mirë për këtë sport në vend”.