Kosova e ka humbur ndeshjen e dytë në kuadër të grupëit të dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës, duke u mundur të dielën me një gol të vetëm në fushën e vet përballë Greqisë. Por për portieri Samir Ujkani, nuk ka kohë për të humbur duke vajtuar për këtë humbje.
“Si fillim dua të falenderoj të gjithë Dardanët, stadium ishte fantastik, atmosfera ishte fantastike. Rezultati ishte negativ, por nuk kemi kohë të mendojmë për të, duhet të mendojmë menjëherë për ndeshjen e radhës, që është të enjten. Duhet të jemi të gjithë bashkë për të marrë një rezultat pozitiv. Sigurisht që kur humbet nuk është moment i mirë, por siç e thashë edhe më parë, nuk kemi kohë për të humbur, duhet të mendojmë për të enjten”.
Për Ujkanin, ajo që duhet të ndryshojë për sfidën e radhës ndaj Irlandës së Veriut në shtëpi është përkushtimi më i madh.
“Në lojën tonë nuk është se duhet të ndryshojmë diçka, thjeshtë të japim maksimumin ashtu siç e japim gjithmonë. Duhet të luajmë për rezultat, besoj se do ia dalim mbanë të enjten”.
Për ish-gardianin e portës së Kombëtares kuqezi, synimet e Kosovës janë ambicioze
“Është krenari të jeshë pjesë e Kosovës. Të gjithë tifozët na kanë qëndruar gjithmonë pranë, i falenderoj. Të gjithë bashkë kemi mundësi të ecim përpara, të fitojmë grupin”.
Takimi Kosovë-Irlandë e Veriut luhet të enjten në Prishtinë, duke nisur nga ora 20:45. Kosova mban vendin e dytë në renditje, me 3 pikë të grumbulluara pas dy ndeshjesh, 3 më pak sesa Greqia e vendit të parë, por dy më tepër sesa Irlanda e Veriut dhe Qipro.