RTSH Sport Live

Ukraina, fitore në miqësoren e parë që nga fillimi i luftës

  • 12/05/2022
  • |
  • Futboll Bota
Ukraina, fitore në miqësoren e parë që nga fillimi i luftës
Kombëtarja e trajnerit Petrakov luan ndeshjen e parë që nga pushtimi rus më 24 shkurt. Në Borussia-Park në Monchengladbach shënuan Mudryk dhe Pikhalionok

Kombëtarja e Ukrainës lë mënjanë për një moment mizoritë e konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë dhe rizbulon emocionet e fushës dhe të ndeshjes. Në ndeshjen miqësore të luajtur mbrëmë para 20 mijë shikuesve në Borussia-Park të Monchengladbach kundër vendasve (paratë u dhuruan për viktimat e luftës), Ukraina e trajnerit Oleksandr Petrakov mposhti 2-1 forcën e dhjetë të Bundesligës dhe i dha vetes një mbrëmje me buzëqeshje.

Mykhaylo Mudryk firmosi avantazhin, barazimi nga Conor Noss, më pas golin e fitores e shënoi Oleksandr Pikhalionok, me trajnerin Petrakov që për momentin mund të disponojë vetëm lojtarët që luajnë në klubet e vendit të tij. “Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, për ekipin tonë dhe për vendin tonë – tha ish-futbollisti ukrainas, Andreiy Voronin, duke komentuar ndeshjen për transmetuesin gjerman ProSieben – ndjejmë se nuk jemi vetëm, e gjithë bota është pas nesh”.

Ndërkohë, Ukraina synon gjysmëfinalen e playoff-it për Katar 2022 me Skocinë në Hampden Park. Një ngjarje kyçe për të tashmen dhe të ardhmen e seleksionit verdheblu dhe për të gjithë vendin. Të besuarit e Petrakov nuk kanë luajtur asnjë ndeshje zyrtare që nga 16 nëntori 2021: Fitorja 2-0 në Zenicë me Bosnjën në kualifikueset e Botërorit. Golat u shënuan nga Zinchenko dhe Dovbyk.