RTSH Sport Live

Uruguaj godet shtyllat, Kore e Jugut rrëmben barazimin

  • 24/11/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Uruguaj godet shtyllat, Kore e Jugut rrëmben barazimin
Nuk ka gola në të parën e grupit H, amerikanolatinët dhe aziatikët ndajnë pikë

Barazimi pa emocione mes Uruguajit dhe Koresë së Jugut në Kupën e Botës në Katar. Dy skuadrat, duke debutuar në Grupin H, praktikisht e anuluan njëra-tjetrën dhe pati shumë pak raste për shënim. Më e qarta ndodhi me Godin një goditje këndi në minutën e 43-të, por topi goditi shtyllën mu në qendër. Në minutën e 89-të edhe gjuajtja e Valverdes u ndal në kryqëzimin e shtyllave. Zhgënjim për sulmuesit e Celeste, Suarez, Nunez dhe Cavani, të cilët u bllokuan nga mbrojtja koreane e përbërë nga katër Kim.

Përballja e parë e grupit H dhe e dyta e ditës së 5-të të Botërorit, ishte ajo Uruguaj-Kore e Jugut, që u luajt pasdreke dhe erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Sikundër pritej, përballja midis amerikanolatinëve dhe aziatikëve, ka qenë një ndeshje e luftuar, e karakterizuar nga loja e ngjeshur në mesfushë dhe me të dyja skuadrat që kishin periudhat e tyre të mbizotërimit në fushë, nëpërmjet vertikalizimeve, goditjeve nga larg apo goditjeve standarde apo goditjeve nga këndi.

Madje të dyja skuadrat i janë afruar golit, por, në të dyja rastet, topi është ndalur nga shtyllat, duke i mbajtur kështu rrjetat të paprekura në përfundim të 45 minutave të para. Një tablo e ngjashme është shpalosur edhe gjatë atyre të dytave, me uruguaianët që bëjnë një vëllim më të madh loje dhe ndërtojnë raste për shënim, por me koranojugorët që guxojnë me kundërsulme dhe rastet nuk kanë munguar për asnjërën skuadër.

Madje, drejt fundit, janë amerikanolatinët që i afrohen sërish golit, por goditja e Valverdes rrok shtyllën dhe përfundoi jashtë kuadratit. Është mbyllur kështu me rrjeta të paprekura kjo sfidë, me të dyja skuadrat që kanë mbetur të kënaqura me pikën e marrë, duke e hedhur vështrimin tek sfidat e radhës.