Shqipëria në futboll për femra, që drejtohet nga Armir Grima, ka nisur që të hënën grumbullimin pesë ditor, ndërsa kërkohet të shihet nga pranë gjendja e lojtarëve. Për herë të fundit, Shqipëria ishte e grumbulluar në prill, ndërsa luajti dhe miqësoren me Maqedoninë e Veriut, të cilën e fitoi 3-1. Bashkë me grumbullimin, një pjesë e lojtareve kuqezi janë duke ndjekur dhe kursi B të UEFA-s për t’u pajisur me licencën e trajnerit. Për Shqipërinë ky është grumbullimi i tretë, ndërsa Armir Grima pohon
“Është e vërtetë që është grumbullimi i tretë për këtë vit. Kemi mbështetje nga Federata, por ndryshe nga grumbullimet e tjera, ky grumbullim i shërben edhe vajzave për t’u licencuar me licencën UEFA B. Është një projekt i fituar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me FIFA-n. Kështu që, me këtë grumbullim edhe shohim gjendjen e vajzave, edhe sigurisht është pozitive për vajzat, pasi pajisen me një licencë që do t’ju shërbejë jashtëzakonisht shumë pasi të lënë futbollin”, thotë Grima.
Në të njëjtën kohë, Grima ka vlerësuar dhe gjendjen reale të lojtarëve krahasuar kjo dhe me dy grumbullimet e para.
“Gjendja fizike e vajzave nuk është ajo e dy grumbullimeve të tjera, sepse jemi në fundin e sezonit dhe vajzat vijnë nga disa ndeshje të vështira dhe të lodhshme dhe nuk e kanë freskinë e mëparshme. Por, besoj që ky grumbullim ka vlerat e tij dhe është i mirë për vajzat dhe për harmoninë në grup që të jemi bashkë sa më shumë”, pohon Grima.
Por sa të impenjuara janë vajzat në këtë grumbullim? Grima e ka një përgjigje
“Impenjimi i vajzave është maksimal. Dëshira për të kontribuar dhe që të jenë pjesë e ekipit kombëtar është maksimale. Është e vetmja gjë që nuk mungon te vajzat në asnjë moment”, tregon i pari i bankinës kuqezi.
Irlanda, Irlanda e Veriut dhe Hungaria kundërshtaret e Shqipërisë në Ligën e Kombeve grupi B1. Grima jep komentin e tij për kundërshtarët.
“Duke shikuar edhe ekipet që kemi në grup, nuk është aspak një grup i lehtë, por i vështirë. Si Irlanda, po ashtu edhe Irlanda e Veriut janë shumë lart me futbollin. Kjo ligë ka këto lloj ekipesh dhe për ne është sukses që kemi arritur të jemi pjesëmarrës në këtë ligë. Objektivi ynë është që të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij grupi dhe të mos rrezikojmë rënien nga liga B në ligën C, por të përfitojmë diçka më shumë nga këto ndeshje”, përfundon Grima.