RTSH Sport Live

Valteri Botas, “një fitore si e Pirros”

  • 11/09/2021
  • |
  • Formula 1
Valteri Botas, “një fitore si e Pirros”
Triumfon në garën sprint të së shtunës, por niset i fundit të dielën

Formula 1 ka zhvilluar të shtunën pasdite garën e dytë të sprintit prej 100 km për këtë sezon, nga është përcaktuar përfundimisht edhe radha e nisjes së Çmimit të Madh të Monzës. Kjo garë, që është e 14-ta e kalendarit të këtij sezoni të Botërorit të Formulës 1, ka qenë e dyta, pas Silverstounit, që nisjen e së dielës e ka përcaktuar nëpërmjet eksperimentit të garës së sprintit, që në fakt është një version i shkurtuar i vetë garës së madhe.

Dhe ndonëse kanë qenë dy makinat e “Mercedes”-it që e kanë nisur në dy vendet e para garën e sprintit të shtunën pasdite, vetëm njëra prej tyre, ajo e Valteri Botasit ka mbërritur e para në finish, duke e fituar këtë garë eksperimentale të këtij sezoni të Formulës 1.  Kurse shoku i tij i skuadrës, Ljuis Hemilton, edhe pse e filloi nga vendi i dytë, pati një nisje të dobët dhe e gjeti veten menjëherë në vendin e 5-të, i parakaluar nga rivali i tij, Maks Verstapen, por edhe dy makinat e “MekLarenit”, të Daniel Riçiardos dhe Lando Norrisit.

 Pavarësisht një aksidenti në xhiron e parë, finlandezi i “Mercedes”-it e ruajti gjakftohtësinë deri në fund, duke e e fituar atë, por kjo fitore e sprintit i ka vlejtur vetëm 3 pikë më tepër, sepse të dielën do të niset nga vendet e fundit, për shkak të ndërhyrjeve të shumta që skuadra ka bërë në makinën e tij.  Nga e gjithë kjo ka përfituar Maks Verstapeni, që me vendin e dytë të marrë në sprint, ka siguruar vendin e parë në radhën e nisjes së dielën, ndërsa në krah të tij do të rreshtohet Daniel Riçiardo.

 Piloti tjetër i “MekLaren”-it, Lando Norris, dhe kampioni në fuqi i botës, Ljuis Hemilton, plotësojnë radhën e dytë të nisjes, ndërsa menjëherë pas tyre është dyshja e “Ferrari”-t, Lëklerk dhe Sainz. Sikundër gara sprint e së shtunës, edhe gara e madhe e së dielës, do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.