RTSH Sport Live

Veli e Calja, më të mirët e shtangës

  • 27/10/2021
  • |
  • Të tjera
Veli e Calja, më të mirët e shtangës
Tirana dominon në Kupën e Shqipërisë, të gjithë me fokusin në Uzbekistan

Evangjelia Veli dhe Briken Calja, por dhe Tirana ishin më të mirët e Kupës së Shqipërisë në Peshëngritje për të rritur, që të mërkurën është zhvilluar në ambientet e Parkut Olimpik. Evangjelia Veli ka realizuar 90 kilogram në shkëputje dhe 103 kilogram në shtytje, ndërsa për paraqitjen e saj për RTSH Sport do të pohonte

“Për momentin jemi me shumë ngarkesë, sepse synimi jonë është Kampionati Botëror. Mund të kishim bërë diçka më mirë në këtë garë, megjithatë nuk ishte keq”.

A mund të bënte më shumë Veli në këtë garë?

“Është punë e gjithë ekipit, jo vetëm e Evangjelisë që Tirana të dalë kampione”.

E pas saj dhe Briken Calja, peshëngritësi që zuri vendin e katërt në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, por mbi të gjitha prej të cilit presin shumë të gjithë. 152 kilogram në shkëputje, ndërsa më parë kishte bërë 142 kilogram. Por me rekord dhe në shtytje, teksa shtanga shko 180 kilogram.

“Padyshim që 152-shi është një nga rezultatet më të mira në klasifikimin botëror, por jemi akoma në përgatitje, vij nga Olimpiada dhe e kemi ulur pak tempin. Do kohën e vet që të shkoj në maksimum”.

Për paraqitjen e Tiranës në këtë aktivitet, kryetrajneri i bardhebluve, Sokol Bishanaku, do të tregonte

“Tirana gjithmonë ka bërë gara të bukura, të gjithë sportistët dhanë maksimumin, Evangjeli bëri një garë të bukur, duke dalë sportistja më e mirë e këtij aktiviteti”, ka deklaruar Bishanaku.

Por në qendër të vëmendjes është Kampionati Botëror në Uzbekistan. Çfarë pritet nga Calja e VelI?

Veli: Çdo herë them të kemi njëherë shëndetin, të mos kemi problem. Pastaj dua të arrij rekorde personale, nëse gara ecën mirë, besoj se mund të bëjmë diçka të bukur”.

Ndërsa Calja ka theksuar: “Pa diskutim që jam një ndër pretendentët kryesorë, të mos harrojmë që unë kam barazuar rekordin olimpik. Pavarësisht stilit të shkëputjes, unë kam akoma për të dhënë, jam akoma më lart, por ky është sport, me të mirat dhe të papriturat e veta”

E ndër sportistë të spikatur mund të cilësohen dhe Romario Avdiraj, Arbër Çerçizaj, Kristi Ramadani, Daniel Godelli, Krenar Shoraj etj. I vetmi që nuk mori pjesë, kjo për arsye dëmtimi, ishte Erkand Qerimaj, ndërsa në Kupën e Shqipërisë ishte i pranishëm dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima.