RTSH Sport Live

Verstapen, “fajtor” për aksidentin në Monza

  • 12/09/2021
  • |
  • Formula 1
Verstapen, “fajtor” për aksidentin në Monza
 Ndëshkohet nga komisarët e garës, dy protagonistët japin versionin e tyre

Kishin dueluar shpesh gjatë këtij sezoni, por ajo përplasje e xhiros së 25-të në Çmimin e Madh të Monzës, që i nxorri që të dy jashtë gare ishte kulmi i këtij sezoni. Dhe si Maks Verstapeni, ashtu edhe Ljuis Hemiltonin kanë dhënë pas garës versionin e tyre të ngjarjes që tronditi garën italiane. “Ne e pamë që do të ishte një do të ishte një kthesë e ngushtë ajo e para dhe Ljuisi e kuptoi këtë, ndaj u zhvendos në të majtë para meje, duke frenuar sapo kaloi vijën e bardhë”, - sqaroi Verstapeni, duke vijuar: “Kështu që m’u desh të kalojë në pjesën e gjelbër në krah të pistës.

Sidoqoftë, mendova se do të kishim një betejë të ndershme në kthesën e parë dhe të dytë, por, sapo unë i dola në krah, ai vijoi të më shtynte në të majtë. Unë prapëseprapë mendova që kishim hapësirë për të dalë të dy në kthesën e dytë, por, fatkeqësisht, ai më nxorri nga pista dhe unë hasa në bordurat e saj dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi.” Ai pyetur nëse kishte folur me Hemiltonin, Verstapeni, që u largua menjëherë pasi doli nga makina, u përgjigj: “Në ato momente gjaknxehtësie është më mirë të largohesh dhe t’i lësh njerëzit të qetësohen. Jam i sigurt se do të flasim për atë aksident.”

Ndërkaq, duke sqaruar se mori një goditje në kokë dhe ndjen dhimbje në qafë, Ljuis Hemiltoni ka dhënë versionin e tij të aksidentit. “Ne ishim dukshëm pak më përpara, por u vonuam në ndërrimin e gomave dhe kur dola, duke frenuar në kthesën e parë, unë u sigurova që lashë vend mjaftueshëm për një makinë tjetër”, - ka shpjeguar britaniku, duke vijuar: “Dhe unë isha përpara teksa hymë në kthesë dhe gjithçka që unë di është se mendoj që Maksi shkeli mbi bordurën e pistës, edhe pse qartësisht e dinte që nuk do ta kalonte kthesën dhe më goditi.

Në ato çaste, pashë që makina e tij ishte mbi makinën time. Padyshim një aksident i pafat dhe sigurisht që do të flasim me komisarët e garës mbi këtë çështje.” Pas aksidentit, Verstapeni tha në radio se “kështu ndodh kur nuk hap rrugë”, një deklaratë që Hemiltonin e hodhi poshtë, duke thënë se “Maksi e dinte se çfarë po bënte dhe vijoi ta bënte edhe pse e dinte sesi do të përfundonte, prandaj nuk kam ç’të them tjetër”. Dy pilotët janë thirrur nga komisarët e garës, për të dhënë versionin e tyre, ndërsa pritet që në vijim të jepet edhe vendimi mbi këtë aksident.