Çmimi i Madh i Meksikës, që ishte edhe gara e 20-të e këtij sezoni të Formulës 1, që i kanë mbetur tashmë edhe dy gara deri në mbyllje, ka regjistruar një tjetër fitore për kampionin e sapokurorëzuar të botës, Maks Verstapenin, i cili siguron edhe fitoren e 14-të sezonale, që është edhe një rekord historik për të. Në fakt, gara e sjellë të dielën në mbrëmje drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar, ka qenë praktikisht një formalitet për pilotin holandez të “Red Bull”-it, i cili ka patur praktikisht një nisje të përsosur, për të vijuar më pas i pashqetësuar deri në fund të 71 xhirove të pistës meksikane.
Edhe sa u përket pilotëve të tjerë, nuk ka patur shumë dramacitet, me përjashtim të disa incidenteve të vogla por që kanë ndikuar pak apo aspak sa i përket renditjes përfundimtare. Verstapen ka mbërritur në finish i pari, i ndjekur nga 7-herë kampioni i botës, Ljuis Hemilton, ndërsa, përkundër shpresave për një fitore, është detyruar të kënaqet me një vend në shkallën më të ulët të podiumit piloti i shtëpisë, meksikani Serxhio Perez i “Red Bull”-it.
Xhorxh Rasëll ka marrë vendin e 4-t, në atë që ishte një garë e mirë për “Mercedes”-in, që shpreson t’i rrëmbejë vendin e dytë në renditjen ekipore “Ferrarit”-t, që u detyrua të kënaqej me vendin e 5-të dhe të 6-të, të marrë përkatësisht nga Karlos Sainz dhe Sharl Lëklerk. Tanimë Formula 1 rikthehet me dy garat e fundit në 10-ditëshin e dytë të nëntorit, me garën e Sao Paolos në Brazil dhe me atë të Abu Dhabit, që mbyll edhe Botërorin e këtij sezoni.