Australia është etapa e tretë e Botërorit 2023 të Formula 1. Një vit më parë, në 2022, fitues në Melburn ishte Charles Leclerc me Ferrarin, por duket se një gjë e tillë është e largët tashmë për skuadrën e kuqe. Ndërkohë që pista Albert Park është një nga të paktat “perla” që ende i mungojnë koleksionit të kampionit të botës Max Verstappen. Por edhe Mercedesi është në kërkim të një podiumi në Australi.
Por me makinat ende në ndryshime e sipër, si Ferrari dhe Mercedesi do ta kenë të vështirë përballë një Red Bulli perfekt. Si kualifikueset të shtunën ashtu edhe gara të dielën për Çmimin e Madh të Australisë do të zhvillohen në orën 7 të mëngjesit dhe do të transmetohen drejtpërdrejt në RTSH. Moti gjatë fundjavës së garës në Melburn do të jetë i ndryshueshëm. Ndaj për herë të parë në këtë sezon, pilotët do të përballen me reshjet e shiut.
Konkretisht të shtunën gjatë mëngjesit që do të zhvillohen provat zyrtare, moti do të jetë i ndryshueshëm me diell dhe mundësi mesatare për disa shira kalimtarë. Ndërsa të dielën mëngjesi i garës do të jetë i thatë, i freskët dhe pjesërisht i vranët. Temperatura arrin 18°C gjatë garës.