RTSH Sport Live

Villarreal, fitues i Ligës së Europës

  • 26/05/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Villarreal, fitues i Ligës së Europës
Spanjollët kanë mundur në finale Manchester United pas gjuajtjeve të penalltive, 120 minutat u mbyllën në barazim 1-1

Villarreal është fitues i Ligës së Europës, për herë të parë në histori, pasi ka mundur në finale anglezët e Manchester United pas gjuajtjeve të penalltive, ndërkohë që koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 1-1.

“Ruleta ruse” i ka buzëqeshur skuadrës së një trajneri ekspert në këtë kompeticion, siç është Unai Emery, që e fiton për herë të katërt në karrierën e tij.

Në Gdansk Stadium, sfida është zhbllokuar në minutën e 29-të, në favor të spanjollëve që kanë kaluar në avantazh me anë të Moreno-s.  29-vjeçari ka befasuar mbrojtjen e United dhe ka “djegur” me lehtësi De Gea-n. 1-0 për spanjollët në pjesën e parë.

Fillimi i pjesës së dytë ka folur për Djajtë e Kuq, të cilët kanë arritur të barazojnë në minutën e 55-të me anë të Cavani-t, duke përfituar nga një rrëmujë në zonën e spanjollëve, 1-1.  Marcus Rashford kishte një mundësi të artë për anglezët, por ka gabuar në afërsi të portës.

1-1 në 90 minuta, për të shkuar më pas në kohën shtesë. Lojë me ritëm edhe në këtë fazë të lojës, por rezultati ka mbetur i pandryshuar, duke i lënë gjithçka gjuajtjeve të 11-metërshave. Llotaria e gjuajtjeve të penalltive, pas një maratone të gjatë, u ka buzëqeshur spanjollëve. 22 penallti të gjuajtura dhe... Villarreal feston trofeun e parë të këtij lloji në histori.