RTSH Sport Live

Vllaznia bën “detyrën” në Vlorë

  • 26/01/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia bën “detyrën” në Vlorë
Shkodranët fitojnë 2-1 ndaj Flamurtarit në takimin e parë të çerekfinaleve

Fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, ka korrur një fitore komode në takimin e parë të vlefshëm për fazë çerekfinale, duke triumfuar 2-1 në fushë të huaj ndaj Flamurtarit. Në takimin tjetër të luajtur të mërkurën në Stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, skuadra vendase, edhe pse militon në nivelin e 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë e Dytë, ka luajtur si e barabartë përballë kuqebluve, duke rrezikuar madje edhe të shënojë.

Minuta e 24-t ka sjellë një mundësi të artë për vendasit, pas një pasimi të Ribajt nga e djathta për Diamantin i cili niset i vetëm drejt portës. Sulmuesi shtyn topin më shumë se duhet dhe ai përfundon në duart e portierit. Por menjëherë më pas, skuadra e Suiperiores ka bërë dallimin, duke gjetur rrugën e rrjetës me anë të Mustedanagiçit, që shfrytëzon më së miri pasimin e fundit të dhënë nga Latifi pas një aksioni të rrjedhshëm të Vllaznisë.

Dhe me epërsinë minimale të shkodranëve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, edhe pse Flamurtari bën një vëllim më të madh loje, është sërish Vllaznia që rrezikon të gjejë golin e dytë, por vetëm shtylla horizontale e portës vlonjate e ndal Heriçin të dyfishojë shifrat në minutën e 53-të. Sidoqoftë, është i njëjti autor, Mustedanagiç, që do të dyfishojë epërsinë e miqve, duke realizuar në minutën e 61-të edhe golin e tij të dytë sezonal.

Por 15 minuta para fundit të kohës së rregullt, Flamurtari shkurton largësinë e golave, me anë të Oliveirës. Pavarsisht përpjekjeve të vendasve për të barazuar shifrat, është Vllaznia që rrezikon t’i thellojë ato, madje në dy raste në minutat e fundit, mbyllet me fitoren e shkodranëve kjo përballje e parë çerekfinale midis këtyre dy skuadrave.