RTSH Sport Live

Vllaznia beson te Kupa

  • 30/03/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia beson te Kupa
Europa kalon nga ndeshja me Partizanin, Plori kërkon kujdes

Pushimi i nxitur nga ndeshjet e Kombëtares e ka ndihmuar Vllazninë të punojë për të hequr zhgënjimin e ndeshjeve të fundit në kampionat. Kundër shkodranëve projektohet një tjetër klasike, ajo ndaj Partizanit me sfidën e parë gjysmëfinale që do të zhvillohet larg shtëpisë dhe trajneri Elvis Plori në ndeshjen e dytë si timonier në stol, kërkon që skuadra të japë maksimumin për të dalë nga spiralja e rrezikshme.

“Normalisht e kemi pritur këtë mundësi që kemi, një sfidë me Partizanin është gjithmonë interesante. Shpresojmë që lojtarët të japin më të mirën dhe të marrim një rezultat pozitiv, sepse dihet që janë dy ndeshje dhe është me kualifikim. Kërkojmë dhe shpresojmë që të jemi në finale. Është një ndeshje e fortë, kuptohet, sepse edhe Partizani këtë dëshiron”.

Do të mungojë Gurishta por ka në ekip një nga lojtarët më në formë të momentit, Plori bën bilancet e gjendjes në skuadrën e tij.

“Siç e dini kemi patur disa mungesa që në ndehsjen me Egnatian. Stafi i mjekëve ka bërë një punë shumë të mirë, shpresojmë që të kompletohet grupi, pjesa më e madhe do të jetë gati. Latifi edhe me statistika është një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, është ndjerë shumë mungesa e tij. Do jetë një ndihmesë shumë e madhe për ne në këtë ndeshje”.

Sezoni mbetet ende i gjatë dhe objektivi tashmë është Europa. Plori nuk firmos për barazimin.

“Pavarësisht se kemi një emër të madh përballë, ne jemi Vllaznia dhe në asnjë moment nuk futemi në fushë për të marrë diçka minimale. Ne futemi gjithmonë për të marrë maksimumin. Çdo javë që kalon, ndeshjet bëhen me të vështira, por ne duhet ti marrim një nga një. Duhet të përqëndrohemi te ndeshja e Kupës, që është me Partizanin që është një ecuri gati e gjithë sezonit. Duhet arritur finalja, duhe të mendojmë vetëm për Partizanin”.