RTSH Sport Live

Vllaznia, Brdariç fokusohet te Dinamo

  • 14/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Brdariç fokusohet te Dinamo
Trajneri i Vllaznisë kërkon maksimumin të hënën

Katër golat e shënuar në portën e Labërisë janë ndoshta antipasta që mund ta hapë oreksin e Vllaznisë së Tomas Brdaric, që në javën e pestë luan një sfidë delikate në kampionat kundër Dinamos. Trajneri i skuadrës shkodrane beson se skuadra që ka në dispozicion është gati për një tjetër tur force dhe tashmë duhet të fokusohet vetëm në ndeshjen e radhës.

“Ne jemi profesionistw, e hedhim pas krahëve Kupën dhe tani duhet të përqëndrohemi te sfida me Dinamon. Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme por çdo ndeshje është e ndryshme. Duhet të jemi konkurrues në sfidën kundër Dinamos dhe shpresoj që këtë takim ta luajmë në stadiumin tonë ku ka edhe kushte më të mira”

Mbrojtësi Adili nuk do të jetë i gatshëm për duelin e së hënës në Shkodër kundër Dinamos për shkak të atij kartoni të kuq të marrë në Korçë, por Brdaric vendosi ti jepte minuta të plota në Kupë. Kroato-gjermani thekson se bashkë me lojtarin e kanë hedhur pas krahëve atë gabim dhe shikojnë vetëm nga e ardhmja.

“Të gjithë bëjmë gabime por duhet të mësojmë nga këto gabime në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen. Adili ishte në formë prandaj e zgjodha që nga minuta e parë për të luajtur në Kupë edhe pse nuk do ta kem në dispozicion në fundjavë. Të gjithë prsin që ne të fitojmë, të luajmë mirë ndërsa kundërshtarët në çdo ndeshje japin më shumë kundër nesh prandaj duhet të japim maksimumin për çdo ndeshje që vijon dhe të arrijmë rezultate pozitive”.

Vllaznia do ta presë Dinamon të Hënën në orën 19:45 në stadiumin “Loro Borici”.