RTSH Sport Live

Vllaznia, drejt Austrisë

  • 28/06/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, drejt Austrisë
Mesfushori Herald Marku do të ribashkohet me skuadrën shkodrane

Herald Marku është lojtar i Vllaznisë. Mesfushori që sezonin e fundit veshi fanellën e Partizanit, është shkëputur përundimisht nga të kuqtë dhe do të luajë për dy sezonet e ardhshme me skuadrën e qytetit të lindjes ku shkëlqeu nën drejtimin e Tomas Brdaric duke fituar edhe një Kupë të Shqipërisë. Në Shkodër ia kanë hapur dyert 26-vjeçarit që e mbylli sezonin me 27 ndeshje dhe vetëm dy gola të shënuar. Marku nuk arriti të fitonte asnjëherë mbështetjen e plotë të drejtuesve të stolit duke kaluar një sezon në dritëhije që e shtyu të kërkonte rikthimin në Shkodër ku është rritur profesionalisht si lojtar.

Afrimi i Markut i jep një alternativë më shumë trajnerit Mirel Josa në mesfushë. Ndërkohë, skuadra do të udhëtojë drejt një lokaliteti malor në Austri rreth 30 km larg kryeqytetit të Vjenës ku do të qëndrojë deri në datën 13 korrik. Tekniku kryeqytetas tashmë me grupin e plotë do të vijojë fazën përgatitore të nisur disa ditë më parë në Shkodër. Vllaznia do të presë në datën 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” rumunët e Universitatea Craiovas dhe një javë më pas do të udhëtojë drejt qytetit universitar për të mbyllur llogaritë e fazës së dytë të UEFA Conference League. Si fituese e Kupës së Shqipërisë, skuadra shkodrane siguroi automatikisht kualifikimin në fazën e dytë të turneut dhe minimalisht do të arkëtojë rreth 300 mijë euro.