RTSH Sport Live

Vllaznia drejt Austrisë: Josa: Periudha më e vështirë për një trajner

  • 29/06/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia drejt Austrisë: Josa: Periudha më e vështirë për një trajner
Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa para nisjes për në Austri

Skuadra e Vllaznisë është nisur paraditen e së mërkurës drejt Austrisë ku do të zhvillojë një fazë përgatitore dyjavore duke u përgatitur për ndeshjet e turit të dytë të Conferencë League. Trajneri i skuadrës kuqeblu, Mirel Josa e ka cilësuar si mjaft të vështirë këtë periudhë ku duhet të vendosen shumë gjëra.

“Është periudha më e vështirë për një trajner sepse duhet të vendosi shumë gjëra. Kemi në mes dhe ndeshjen e Europës. Them se jemi në rrugë të drejtë, tani do mundohemi për fazën përfundimtare, duke marrë parasysh kushtet që na ka krijuar klubi. Jam shumë i kënaqur që do jemi në Austri. Kam qënë dhe herë tjetër, kam bërë katër faza përgatitore atje”.

“Marku? Është një lojtar që e kam dashur vetë. Kam krijuar përshtypjet e mia që kur luante te Vllaznia, para se të shkonte te Partizani. Kemi një dyndje le të themi në mesfushë, kush të jetë në gjendje më të mirë do të luajë. Kam kërkesat e mia ndaj të gjithëve. Duhet të rrisim agresivitetin, në mënyrë që të kemi sukses”.

“Sulmi? Do të shohim, sepse kemi Latifin që nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Kam komunikuar me të dhe të shohim si do të zgjidhet. Por nuk duhet të bëjmë hapa të nxituar. Latifi besoj se këto dy-tre ditë do të vijë në Austri”.

“Miqësoret? Nuk do të zhvillojmë më shumë se tri ndeshje miqësore. Një e kemi në datën 5, të tjerat të shikojmë. Por nuk do të bëjmë më shumë se tri ndeshje, sepse na prishin planet stërvitore”.