RTSH Sport Live

Vllaznia e Teuta barazojnë, përfiton Partizani: rrëmben vendin e parë

  • 03/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia e Teuta barazojnë, përfiton Partizani: rrëmben vendin e parë
Në “Loro Boriçi” nuk ka fitues, mbyllet 0-0. Përfiton Partizani, me një fitore 1-0 përballë Apolonisë ngjitet në vend të parë

Është mbyllur java e 31-të e Kategorisë Superiore, që ka dhënë verdiktet përsa i përket vendosjes së skuadrave në tabelën e klasifikimit. Partizani ka rrëmbyer vendin e parë, falë fitores 1-0 përballë Apolonisë, por dhe barazimit 0-0 të arritur mes Vllaznisë dhe Teutës.

Në “Loro Boriçi”, në supersfidën e kësaj jave, u përjetua një 90 minutësh pa shumë shkëlqim. Skuadra shkodrane kishte inisiativën, por rastet ishin shumë të pakta, Demir Imeri kishte mundësinë për të shënuar në të paktën dy raste, po pa rezultat. Nga ana tjetër, durrsakët menduan më shumë për tu mbrojtur, ndërsa rastin e parë të rrezikshëm e shënuan në fundin e sfidës me Krasniqin, që goditi jashtë, për të mbyllur gjithçka në barazim 0-0.

Nëse në “Loro Boriçi” triumfoi frika, në “Elbasan Arena” është Partizani që triumfon përballë Apolonisë me një gol të Jasir Asanit. Dominim në lojë i skuadrës së kuqe, por për të mbërritur deri te shënimi i golit u deshën shumë minuta dhe shumë punë. Mundësi të shumta për të kuqtë, që u konkretizuan vetëm në minutën e 76-të, ku pas një aksioni të rrjedhshëm, Asani nuk gabon me të djathtën, 1-0.

Një fitore që i ka dhënë vendin e parë skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja në kuotën e 57 pikëve. Në vend të dytë është Teuta me 56 pikë, ndërsa Vllaznia mban vendin e tretë me 54 pikë.

KATEGORIA SUPERIORE(JAVA 31)

E diel

KASTRIOTI-SKËNDERBEU 0-2

Golat: Jean Viktor 67’, K.Vangjeli 90’+5

BYLIS-TIRANA 0-0

E hënë

LAÇI-KUKËSI 2-0

Golat: Lushkja 6’, 31’

VLLAZNIA-TEUTA 0-0

PARTIZANI-APOLONIA 1-0

Golat: Asani 76’