RTSH Sport Live

Vllaznia e Tirana, rivaliteti i hekurt

  • 16/09/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Vllaznia e Tirana, rivaliteti i hekurt
Nis kampionati kombëtar i boksit për të rritur, Shkodra e gjitha në festë

Kampionati Kombëtar i Boksit për të rritur, që është veprimtaria më e rëndësishme e dorezave në vend, ka nisur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Një aktivitet treditor, i cili përfundon të shtunën në mesditë. E do të konkurrohet jo vetëm për të shpallur ekipin kampion për vitin 2021, por dhe fitues sipas peshave. Në ditën e parë ishin në program 10 ndeshje në të cilat Vllaznia e Tirana, që janë rivalët kryesor për titull kampion, kanë marrë fitoret e para.

Katër fitore i kanë takuar boksierëve kuqeblu, teksa kanë dalë fitues Rifat Bajrami në peshën 48 kilogram, Dren Zariqi në peshën 51 kilogram, Shpëtim Bajoku në peshën 63.5 kilogram dhe Kristian Dema në peshën 92 kilogram. Por po katër fitues kishte dhe Tirana, ndërsa u shpallën të tillë Ralf Nezaj në peshën 67 kilogram, Denis Nurja në peshën 71 kilogram, Besar Sula në peshën 80 kilogram dhe Klajdi Tema në peshën 92 kilogram.

Po kështu në ditën e parë të kampionatit u shpallën fitues dhe Krenar Zeneli i Flamurtari në peshën 60 kilogram dhe Mateho Zeneli, po i Flamurtarit, në peshën 67 kilogram. Rivalitetin e Vllaznisë dhe Tiranës për titull kampion e kanë deklaruar për RTSH Sport edhe trajnerët kundërshtar, Zef Gjoni dhe Sead Bushati.