RTSH Sport Live

Vllaznia fiton Kupën dhe… Europën

  • 31/05/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia fiton Kupën dhe… Europën
Vllaznia mbron trofeun, Josa befason Laçin me përmbysje në kohët shtesë

120 minuta pritje për të shpërthyer festën e Vllaznisë në Arenën Kombëtare, për triumfin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Trofeu i dytë radhazi për shkodranët, që shkojnë në 8 në palmares, pas fitores me përmbysje 2-1 kundër Laçit në përfundim të kohëve shtesë, me 90 minutat e rregullta të përfunduara në 1-1. Për gjithçka ishte në lojë dhe sa rëndësi kishte për dy formacionet ishte e kuptueshme tensioni dhe elektrizimi që kishin tifozët dhe vonesa e tymueseve të hedhura nuk humbi vrullin me të cilin skuadrat kërkonin fitoren. Starti ishte drastik për kuqeblutë, që e panë veten në disavantazh në sulmin e parë të Laçit në minutën e 4-ët.

Mazrekaj nisi Velijan që gjeti të lirë Guindon që konfirmoi statusin e golashënuesit më të mirë, duke tundur rrjetën e Zogoviç. Tronditje, por edhe reagim krenarie për Vllazninë, që humbi Da Silvën të dëmtuar, të zëvendësuar nga Hoxhaj, të cilit iu deshën vetëm 7 minuta për të lënë gjurmë: Latifi evitoi këdo i doli para dhe në shtyllën e dytë shërbeu për Hoxhaj që barazoi ndeshjen. Ekuilibri i trembi ekipet në pjesën e dytë, që i dhanë intensitet lojës, krijuan, por duke u kujdesur të mos zbilancohen duke lënë hapësira.

Në minutën e 54-ët Veliaj detyroi Zogoviç të bënte një ndërhyrje vendimtare, në konkluzionin nga distanca, ndërsa tensioni në rritje i tifozëve shfryu dufin në shishen e hedhur mbi Xhajën, për fat pa pasoja. Në shtesë shkohet, me goditjen e pasaktë të Guindos, që çertifikoi se duheshin ende edhe 30 minuta për të vendosur fituesin e finales.

Vetëm se Adili nuk dëshironte të priste aq gjatë për të anuar peshoren dhe në të 95’ siluroi portën e Dajsinanit me një të djathtë që nuk i la asnjë shans portierit të Laçit, duke përmbysur rezultatin. Josa e përmbushi misionin për të cilin presidenti Xhaferri guxoi duke e marrë dy ndeshje para finales: njohje e madhe e teknikut për ish-skuadrën që e drejtoi deri në momentin kur erdhi Duro.

Finalja e dytë radhazi e humbur nga kurbinasit pas asaj të 2016 e tani keqardhja është gjithësesi më e zbehtë me përfaqësimin në Conference League. Feston Vllaznia, sezoni është i shpëtuar me një trofe, që i dhuron njëkohësisht prezencën në Europë, në dëm të Kukësit e vetmja e interesuar në përplasjen e Arenës Kombëtare, por që pa gjërat të shkonin keq në finalen e ngjyrosur krejtësisht kuqeblu.