RTSH Sport Live

Vllaznia humb kreun në Laç

  • 10/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia humb kreun në Laç
Shkodranët, barazim pa gola me Laçin, në një ndeshje me shumë raste të shpenzuara

Asnjë fitues në Laç, edhe pse si erdhi ndeshja fitorja mund ti kishte buzëqeshur si bardhezinjve ashtu edhe Vllaznisë. Një 0-0 që shkodranëve i humb kreun, ndërsa shtyn takimin me fitoren për të besuarit e Duros, pas tre javësh pa sukses. Një ndeshje me intensitetin e duhur, duke qenë se luhej vërtetë një pjesëz titulli, me shumë raste, por edhe po aq gabime para portës, ndoshta për shkak të presionit që peshonte mbi këmbët e futbollistëve.

Kuqeblutë e Brdariç patën impaktin më të mirë me ndeshjen, duke rrezikuar që në fillim me Cisse, të preferuar ndaj Dilaver, me portierin Sherri të gatshëm në minutën e 2 e me fat në të 11, në konkluzionin me kokë të Adilit, që shkoi ngjitur me traversën. Laçi në vështirësi, sidomos në rinisjet e shpejta të shkodranëve dhe Sherri pa dy herë në harkun e 10 minutave, mes të 15′ dhe 25’, ti shfaqet rrezikshëm Dajan Shehi, në dy tentativa me kokë.

Duro nervoz në pankinë, sheh të tijtë të vuajnë dhe kërkon më tepër agresivitet në topin e parë, sistem që sjell edhe mundësitë e parë për kurbinasit gati pas gjysëm ore lojë: Harmon provon në hyrje të zonës në të 28 pa frikësuar Zogoviç, ndërsa kundërsulmit të minutës së 38′ të bardhezinjve i mungoi vetëm goditja finale e Xhixhës, i gjetur me inteligjencë nga Mazrekaj.

Laçi futet me të njëjtën bindje në të dytën, duke e kuptuar qartë situatën e çfarë mund ta bënte fitues, pavaraësisht se koordinimi i Lushkjas nuk kishte shënjestrën e duhur. Tani është Vllaznia që vuan ritmin dhe fizicitetin e sulmuesve bardhezinj, por ajo që Harmon shpenzon në të 54 e bën Duron të vendosë duart mbi kokë. Mbi traversë goditja e sulmuesit në afërsi të pikës së penalltisë, ndërsa në të 64 mes golit inteligjent të një Mazrekaj gjithnjë në formë, u vunë duart e Zogoviç, që devijoi pothuaj me shikueshmëri zero.

Laçi provoi të shfrytëzonte momentin por Xhixha, në të 75, bëri gjithçka mirë veç goditjes, shumë e lehtë për të impenjuar Zogoviç. Brdariç e do fitoren, ashtu dhe Duro që lëvizjet i bëjnë në këtë drejtim, por 9 minuta nga fundi mundësia është në këmbët e Hoxhajt që nuk devijoi për pak në portën e Sherrit, në sugjerimin e Isaevskit, duke lënë një 0-0 në fuqi që çon Vllazninë me 47 pikë, por jo më me pikë të barabarta me Teutën, e mban dy pikë pas Laçin, në pikën e parë pas dy humbjeve radhazi.