RTSH Sport Live

Vllaznia, Josa kthen faqe

  • 03/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Josa kthen faqe
Trajneri i Vllaznisë beson te grupi që ka në dispozicion dhe pranon gabimet e Europës

Mirel Josa flet për dështimin e skuadrës në Europë dhe vazhdimësinë e skuadrës në sezonin e ri të Kategorisë Superiore. Në një konferencë për shtyp, tekniku kryeqytetas e pranon që skuadra duhet të heqë shumë paqartësi pas fazës së parë që lidhet me përgatitjet për Europën sepse tashmë ka një objektiv të ri përpara.

“Çështja është se si ne duhet të përmirësojmë këto problem të cilat do të na dalin. Qoftë te skuadra, qoftë në mënyrë loje, qoftë në impenjimin total të skuadrës në stërvitje, qoftë në impenjimin e klubit në realizimin e kërkesave tona”.

Dëshiron nga lojtarët e tij që të japin shpirtin në fushën e lojës por objektiva nuk cakton.

“Unë dhe lojtarët e mi jemi gati për luftë. Lufta është e tillë që njëra skuadër vritet, ndërsa tjetra shpëton, mbijeton, kështu që duhet të hyjmë për të luftuar, për të marrë më të mirën tonë dhe për të fituar ndeshjet. Kush është ai që nuk dëshiron të dalë kampion! Si unë ashtu dhe lojtarët, por unë këtë impenjim tek lojtarët e kam parë. E kam parë në mënyrën se si ata janë stërvitur, në mënyrën se si ata më dëgjojnë”.

Analizon më pas gabimet e sfidës së dyfishtë me Universitatean duke e pranuar që skuadra ishte inferiore ndaj rumunëve por nuk pranon që Vllaznia e tij të krahasohet me Skënderbeun.

“Nuk ka nevojë ta përmend nivelin e kundërshtarit. Ne duhet të mësojmë nga këto ndeshje. Probleme na dolën përsëri në ndeshjen e dytë atje. Pra, çdo ndeshje nxjerr problemet e veta. Nuk duhet t’i krahasojmë situatat e Vllaznisë apo skuadrave të tjera me Skënderbeun. Ata kishin fatin e mirë që kishin lojtarë të mirë brenda. U organizuan si skuadër, por e mbani mend shortin, nivelin e skuadrave të tjera? Megjithatë, organizimi ishte perfekt, që skuadra shkoi deri atje”.

Ky grup ka nevojë për përforcime por kjo nuk është një kërkesë urgjente. Josa e pranon që skuadra e sezonit të kaluar nuk duhet të ndryshojë shumë.

“Ne nuk kemi patur asnjë problem, kemi qenë shumë të rakorduar me klubin përsa i përket lojtarëve. Nëse e keni parë që nga fillimi mënyrën se si unë dua të ndëroj skuadrën, sepse nuk mund të behet me shumë ndryshime nga viti në vit. Por duke patur parasyshë dhe forcën ekonomike të skuadrës, mënyrën se si merren këta lojtarë, unë them që kemi bërë mirë deri në këtë periudhë”, ka përfunduar Josa.