RTSH Sport Live

Vllaznia, Josa: Kupa, një detyrim

  • 30/05/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia, Josa: Kupa, një detyrim
Trajneri i kuqebluve, Mirel Josa në konferencë për shtyp në prag të finales së Kupës me Laçin

Vllaznia dhe Laçi bëhen gati për finale e Kupës së Shqipërisë, edicioni 2021-2022, që do të luhet të martën në “Air Albania”, ora 19:00. Trajneri i skuadrës shkodrane, Mirel Josa ka dalë në një konferencë për shtyp duke vënë theksin tek rëndësia e kësaj sfide.

“Kjo sfidë është një detyrim ndaj klubit, pavarësisht se kam qenë pjesë e skuadrës kundërshtare me të cilën do përballemi nesër. Për lojtarët, stafin dhe klubin është një trofe më tepër. Për mua nuk ka interes si trofe individual, e rëndësishme është që të arrihen objektivat që ka klubi, për momentin jemi jashtë”.

“Kemi punuar për këtë sfidë, nuk kemi mbajtur rezerva. Kemi të bëjmë me një ndeshje të fundit të sezonit, është e rëndësishme si për individët ashtu dhe për grupin, duke filluar që nga drejtuesit, financuesit, lojtarët dhe ne si staf. Jo vetëm Laçin, të gjitha skuadrat duhet t’i vlerësojmë”.

“Nuk dua të analizoj se çfarë gabimesh janë bërë, mua më intereson që idetë e mia të bashkangjiten me të lojtarëve dhe ta vazhdojmë punën për të marrë rezultat. Nuk mund të flas për një sezon të dobët, mund të kishin qenë më të vëmendshëm në disa momente, me dy apo tre pikë më shumë do të flisnim ndryshe tani”.

“Në futboll janë tre rezultate në lojë, tani janë dy për këtë finale: ose e fiton ose e humbet. Futbollistët duhet të futen në fushë vetëm me presionin që kjo ndeshje duhet fituar. E njoh mirë tifozërinë e Shkodrës, dashurinë që kanë për futbollin, nuk ka nevojë për thirrjet e mia që ata të jenë të pranishëm”.