RTSH Sport Live

Vllaznia, kualifikimi në 90 minuta

  • 14/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia, kualifikimi në 90 minuta
Ndeshje e vështirë për kuqeblutë, por si Sinani, ashtu dhe Qarri besojnë tek forca e ekipit

Partizani – Vllaznia është çifti më spikatës i raundit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët e kanë avantazhin e fitores së ndeshjes së parë, 3-1, por kuqeblutë e dinë që do të kenë përballë një kundërshtar të frikshëm. Këtë e ka pranuar në konferencë për shtyp dhe zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Vioresin Sinani.

"E dimë që kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë, por do ta kalojmë me sukses", thotë Sinani për mediet sportive.

Por sa garanci japin për kualifikimin në gjysmëfinale dy golat avantazh që Vllaznia ka?

"Është një rezultat i mirë, por jo gjithçka ka përfunduar me ndeshjen e parë. Jo më kot Kupa ka specifikën e vet dhe nuk është si kampionati. Janë dy ndeshje. Ne e dimë që na pret një betejë, por jemi përgatitur për të luftuar fort dhe për të arritur objektivin për të kaluar në gjysmëfinale", shpjegon numri dy i pankinës së Vllaznisë.

Kristi Qarri konsiderohet portieri i ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë për Vllazninë, ndërsa ka dhënë prova të mira. Madje i tillë vlerësohet dhe nga Vioresin Sinani

 "Unë jam i bindur që Kristi është portier për kupë, për kampionat e për çdo ndeshje. Stafi dhe të gjithë kanë besim tek Kristi kur do që ai të luajë. Pra është gjithnjë i gatshëm si në Kupën e Shqipërisë, ashtu dhe në kampionat", shprehet besimplotë Vioresin Sinani.

Për mbrojtësin e katërkëndorit kuqeblu, Vllaznia ka potencialin ta mbyllë kualifikimin brenda kohës së rregullt.

 "Ne duhet të vlerësojmë çdo sekondë të lojës. Të përqendrohemi jashtëzakonisht shumë, sepse është një ndeshje delikate. Duhet të përqendrohemi të mos pësojmë gol, sepse ekipi do të vihej në presion më pas. Por besoj se ne do të kualifikohemi në kohën e rregullt", tregon Qarri.

Në fund dhe një vlerësim për praninë e tifozëve në stadium.

"Është një ndeshje së cilës i japin bukuri dhe tifozët", përfundon Qarri.