RTSH Sport Live

Vllaznia, merkato “me pikatore”, Dunga mbetet pezull

  • 12/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, merkato “me pikatore”, Dunga mbetet pezull
Përveç Avdiajt, Salim Sise është ende në provë, ndërsa Emir Murati nuk vjen

U përfolën shumë emra gjatë këtyre javëve të ndërrimit të viteve, madje edhe emra të bujshëm, siç ishin ata të dy lojtarëve të Kombëtares, Bekim Balajt dhe Azdren Llullakut, por tek Vllaznia duket se kanë vendosur të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe t’i marrin gjërat një nga një. Skuadra shkodrane e mbylli 2020-ën në krye të renditjes së Kategorisë Superiore, ndërsa e nisi me një fitore minimale, por mjaft të vyer, në fushën e vet ndaj Teutës, e cila ishte, deri në atë ndeshje, ndjekësja më e afërt, por edhe skuadra e vetme që nuk e njihte humbjen.

Kuqeblutë kanë spikatur si me rezultate, ashtu edhe me lojë në këto 13 javë të para të kampionatit, por edhe vetë trajneri Tomas Brdariç, por edhe drejtuesit e tjerë të Vllaznisë kanë pohuar nevojën për përforcime. Dhe, deri më tani, ka mbërritur nga Tirana Albion Avdiaj, por edhe sulmuesi nga Guinea, Salim Sise.

Lidhur me këtë të fundit, drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, ka sqaruar nëpërmjet linjës telefonike për RTSH Sport se afrikani sapo ka filluar stërvitjen dhe do të duhen të paktën 2-3 ditë për të vlerësuar gjendjen e tij dhe nëse ai është i dobishëm për skuadrën. Djarmati ka dhënë gjithashtu hollësi edhe sa i përket afrimit të mundshëm të Emir Muratit tek Vllaznia, duke pohuar se ka patur bisedime me përfaqësuesin e lojtarit që është në pronësi të Milanit.

“Por ne nuk pranuam një huazim prej 6 muajsh, duke synuar të paktën një kontratë njëvjeçare e gjysmë, gjë që nuk u materializua”, - sqaroi zyrtari i klubit shkodran. Ndërkaq, Djarmati ka deklaruar se shkodranët janë në bisedime me një lojtar nga kampionati grek, por pa pranuar të japë të dhëna të tjera për futbollistin në fjalë.

Ndërkaq, sa i përket Ismael Dungës, drejtori i kuqebluve ka sqaruar se keniani pritet të pajiset këto ditë me vizën shqiptare, ndërsa bisedimet për një shitje të mundshme të tij gjetkë kanë mbetur pezull për shkak të mospajtimit mbi çmimin e tij.