RTSH Sport Live

Vllaznia merr përgëzime nga UEFA

  • 11/08/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia merr përgëzime nga UEFA
Presidenti Xhaferi zbulon mesazhin e dërguar nga institucioni i futbollit europian

Pjesëmarrja e klubeve shqiptare në veprimtaritë kontinentale të klubeve ka zakonisht edhe pjesë e padukshme të saj, atë organizative dhe, përtej rezultateve në fushën e blertë, ajo ka lënë për të dëshiruar. Nuk kanë qenë të pakta rastet që kjo pjesëmarrje është shoqëruar edhe me faturat e gjobave, që mbërrijnë nga UEFA për keqorganizim të ndeshjeve, apo për probleme në tribunat e stadiumeve. Por është Vllaznia, që ka dhënë një shembull të mirë këtë edicion, pasi klubi shkodran ka marrë përgëzime nga UEFA për organizimin e ndeshjes së parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës. Ka qenë presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, i cili ka bërë të ditur se klubi ka marrë vlerësime për organizimin e ndeshjes me Universitatean e Krajovës në Ligën e Konferencës.

“Sot dua të ndaj me ju një lajm fantastik, ku dje, paas 30 viteve realizimi të ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin “Loro Boriçi” me eksperienca jo te mira, ku si pasojë kanë ardhur dhe penalitete të ndryshme për ekipit tonë, arritëm të marrim një vlerësim shembullor nga UEFA për ndeshjen e fundit kundrejt Universitatea Kraiova”, shkruan kreu i klubit shkodran, i cili ka postuar edhe mesazhin origjinal në anglisht të organizmit që qeveris futbollin evropian, që vlerëson se niveli i sigurisë në Stadiumin “Loro Boriçi” ishte maksimal dhe atmosfera e sigurt për të organizuar çdo ndeshje ndërkombëtare. 

“Faleminderit dhe njëherë të gjithëve që kontribuan për këtë organizim, në veçanti tifozerinë tonë të mrekullueshme, si dhe gjithë institucionet e tjera, së bashke me kompaninë e Sigurisë”, ka vijuar Xhaferi, që duke përfunduar do të deklaronte: “Uroj në të ardhmen të kemi shumë më shumë evente ndërkombëtare në qytetin tonë”.