RTSH Sport Live

Vllaznia në “shëndet të plotë”

  • 01/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia në “shëndet të plotë”
Brdaric ka rikthyer rezultatet dhe entuziazmin në grupin verior

Sulmi i tretë më produktiv i Superiores përballë një skuadre në kërkim të pikëve që nuk e njeh fitoren në kampionat që prej më shumë se një muaji. Vllaznia dhe Teuta kanë shumë çështje të hapura mes tyre por momenti se si vijnë në këtë përballje të dytë sezonale, është tërësisht në favor të shkodranëve që do të përpiqen të përfitojnë edhe nga mungesa e kohës së Arapit për të sistemuar diçka në kampin e djemve të detit.

Nënkampionët e vendit përballë kampionëve që arritën ta bënin diferencën vetëm falë golavarazhit, do të kërkojnë të ruajnë trendin pozitiv pasi prezantohen në këtë përballje pas dy sukseseve rresht dhe tashmë nga vendi i tretë, tërësisht në garën për titullin kampion. Da Silva dhe Aralica, që të dy vendimtarë me nga 4 gola secili, po rezultojnë goditjet e duhura në merkato, ndërsa Hoxha është gati për të dhënë një dorë të rëndësishme.

Vetëm dy gola të pësuar në tre ndeshjet e fundit të kampionatit. Mbrojtja e ndërtuar nga Brdaric duket se nuk fut më ujë që pas përmbytjeve në klasiken me Tiranën, ndërsa mesfusha ka gjetur ekuilibrin e nevojshëm për t’i dhënë vazhdimësi në lojë e rezultate skuadrës shkodrane. Pavarësisht reshjeve të dendura të ditëve të fundit, trajneri gjermano-kroat dhe skuadra kanë punuar intensivisht ndërsa në fushë do të zbresë pothuajse i njejti formacion si ndaj Laçit ku Da Silva hedh kandidatuurën për një vend titullari.

Në Shkodër është rikthyer qetësia pas furtunës që shkaktoi disfata me Tiranën dhe sot nga largesia e vendit të tretë dhe vetëm 5 pikëve diferencë me krysuesit, Vllaznia nuk kërkon të ndalet më.