RTSH Sport Live

Vllaznia, nis stërvitja me ngarkesë të plotë

  • 27/06/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, nis stërvitja me ngarkesë të plotë
Kuqeblutë,“gojëkyçur” për merkaton, por synohet Mihana dhe rikthimi i Herald Markut

Pas pushimit të zakonshëm të fundjavës, Vllaznia është rikthyer në stërvitje të hënën në mëngjes, teksa skuadra shkodrane, që drejtohet tashmë nga trajneri kryeqytetas, Mirel Josa, do të hyjë këtë javë në regjimin e stërvitjes me ngarkesë të plotë, me nga dy seanca stërvitore në javë. Siç dihet, Vllaznia është një nga 3 skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në veprimtarinë e 3-të të klubeve të kontinentit, Ligës së Konferencës.

Por ndryshe nga dy skuadrat e tjera, Partizani dhe Laçi, që e nisin nga turi i parë eliminator, shkodranët kanë privilegjin, si fitues të Kupës së Shqipërisë, ta nisin atë nga turi i dytë. Aty ku do të përballen me skuadrën rumune të Universitateas së Krajovës, me takimin e parë që luhet më 21 korrik 2022 në Stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës, ndërsa takimi i kthimit një javë më pas në fushë të huaj.

Ndonëse të kontaktuar nga RTSH Sport drejtuesit e Vllaznisë nuk preferojnë të flasin për merkaton e verës, mësohet se, pas Dajan Shehit, një tjetër ish-futbollist i kuqebluve mund të rikthehet në Shkodër dhe ai është Herald Marku, që sidoqoftë është nën kontratë me Partizanin. Ndërkohë, një tjetër emër i lakuar në klubin shkodran është edhe ish-futbollisti që sezonin e shkuar e mbylli me Dinamon, Redon Mihana.

Por, sikundër në rastin e Markut, edhe çështja e sulmuesit të krahut është e ndërlikuar, pasi është Apolonia që ka kartonin e tij. Megjithatë, burime nga klubi kuqeblu pohojnë se për të dy lojtarët mund të gjendet një zgjidhje dhe po punohet për këtë. Vllaznia ka bërë ditët e fundit një përforcim tek i cili shpresohet shumë, siç ishte ai i futbollistit të Deçiçit në Mal të Zi, Kristijan Vulaj, që pritet t'i shtojë cilësi skuadrës kuqeblu.

Po kështu janë afruar edhe disa talente të rinj nga skuadrat e moshave, ndërsa po punohet që trajneri Josa ta ketë gati kontingjentin për fazën stërvitore dyjavore që do të zhvillojë në Austri në përgatitje për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, por edhe për sezonin e ri.