Vllaznia në futboll për femra ka nisur përgatitjet për ndeshjen e tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, teksa bëhet fjalë për transfertën e Paris Sen Zhermen, që do të zhvillohet më 23 nëntor në ora 18:45. Kushtet e vështira të motit, të shoqëruara me reshje të dendura shiu, nuk janë bërë pengesë për Vllazninë që të vijojë përgatitjet për ndeshjen e radhës. Për golashënuesen shkodrane, Megi Doçi, është kënaqësi të luash edhe nën reshjet e shiut.
“Futbolli është i bukur edhe duke luajtur në shi dhe mua më pëlqen të luaj edhe në kushtet e tilla. Megjithatë kushtet e vështira të motit, skuadra është duke u përgatitur intensivisht për këtë takim. Janë ditët e fundit të përgatitjeve, ndërsa jemi të përqendruar si për kampionat, ashtu dhe për Ligën e Kampioneve”, thotë Doçi.
E pyetur për ballafaqimin e mërkurës së ardhshme në transfertën e Parisit ndaj PSG-së, Doçi ne vlerëson kundërshtarin, por premton se Vllaznia do të bëjë më të mirën e saj.
“Ne e dimë kë kemi përballë dhe nivelin e kundërshtarin. Shpresojmë që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe taktike e pse jo dhe të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv. Dëshira është shumë e madhe”, shpjegon Doçi.
Në dy sfidat e mëparshme, ndaj Real Madrid dhe Çelsit, Doçi bëri përpjekjet maksimale për të shënuar në portën kundërshtare, por nuk ia arriti qëllimit, gjë që do ta provojë edhe ndaj kampiones së Francës, PSG.
“Dëshira është e madhe për të shënuar jo vetëm tek unë, por tek e gjithë skuadra. Madje një dëshirë të tillë e ka dhe portieria. Por e rëndësishme është të luajmë të gjitha bashkë një ndeshje të mirë dhe t’ia arrijmë qëllimit për t’u ballafaquar denjësisht ndaj Parisit”, ka nënvizuar Doçi.
Ndeshja Paris Sen Zhermen – Vllaznia, më 23 nëntor, ashtu sikurse dhe takimet e mëparshme do të transmetohet në faqen zyrtare të UEFA-s.